Aksioni policor kundër kontrabandës në Mitrovicë merr përmasa ndërkombëtare, Serbia kërkon të përgjgjet NATO

Një operacion i policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Mitrovicë, ka marrë masa ndërkombëtare për shkak të përplasjes ndërmjet protestuesve serb dhe dhe policisë, ku nuk kanë munguar përdorimi i armëve të zjarrit, granata dore, etj. Serbia ka kërkuar nga ndërkombëtaret, përkatësisht nga NATO që të ndalojnë Kurtin me veprimet e tij politike. Ndërsa ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka quajtur aksionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit dhe ka kërkuar nga Presidenti amerikan Joe Biden  që të mos heshtë.

Nuk kanë munguar as deklaratat ndërmjet Kosovës dhe Brukselit ku kërkohet vetëpërmbajtje dhe jo aksione të njëanshme.

Operacioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës - që nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi në mesditë - u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët protestuan dhe ngritën barrikada. Gjatë protestave, dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.

Policia e Kosovës njoftoi se po ashtu ka identifikuar dhjetë persona që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe të cilët janë shpallur në kërkim.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, dhjetë persona të përkatësisë serbe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Tetë persona janë liruar nga spitali, kurse dy janë ndaluar për trajtim, tha për Radion Evropa e Lirë, Zllatan Ellek, drejtor i Qendrës Shëndetësore në këtë komunë.

"Njëri u qëllua në pjesën e pasme në zonën e shpatullës së djathtë, brinja e tij e djathtë ishte thyer, plumbi doli në pjesën e përparme të qafës. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent, që ia ndaloi gjakderdhje dhe aktualisht është në kujdes intensiv, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Një pacient tjetër u pranua me dëmtime në zonën e gjoksit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai gjendet në departamentin e kirurgjisë”, tha Ellek dhe shtoi se të lënduarit kryesisht pësuan lëndime nga plumbat e gomës, gazi lotsjellës dhe shok bombat.

Reagimet nga qeveria e Kosovës. Kurti: Kontrabandën do ta parandalojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një postim në Facebook se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

"Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

Përplasja Borrel- Osmani

Borrell: Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”.

Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Borrell në Twitter.

Osmani i kundërpërgjigjet Borrellit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu kundërpërgjigj Borrellit, duke kërkuar që ky aksion të mos quhet "aksion në veri" dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian, që t'u qëndrojë besnike vlerave të saj.

“Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja (Bashkimi Evropian) ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, tha Osmani përmes një reagimi në rrjetin social Facebook.

Reagimet nga pala serbe.

Mesazhi i Brnabiç për NATO -n: "Lëvizjet e Kurtit na çojnë në prag të kaosit"

"I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO -s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të mbajnë nën kontroll Albin Kurtin. Situata është më shumë se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin nevojitet një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Me një sjellje të tillë, të gjitha vijat e kuqe janë kaluar dhe kjo na çon në prag të kaosit ”, tha Brnabic.

Vuçiq mbledh në Rashkë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar të mërkurën qytetin e Rashkës, ku është takuarme përfaqësues politikë serbë nga Kosova.

Takimi është mbajtur në kazermën lokale, ndërsa të pranishmit kanë përfshirë zyrtarë të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe përfaqësues të ushtrisë së Serbisë, si dhe qytetarë serbë nga Kosova.

Këta të fundit, siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kanë folur për shqetësimet e tyre, kanë kërkuar mbrojtje nga Serbia, ndërsa shqiptarët i kanë quajtur me emra fyes.

“Kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë. Kemi edhe disa keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët sinqerisht duan konflikte edhe këtu, dhe duan të na fusin në konflikt. Sigurisht, unë do të doja të ruanim paqen, por nuk kemi zgjidhje”, tha Vuçiq.

“Unë nuk mund t’ju ftoj të hyni në konflikt me askënd. Çfarëdo që të ndodhë, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ju. Këtë nuk po e them për formalitet. Ata që më njohin e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, shtoi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarët e tjerë të lartë serbë gjatë takimit në Rashkë të Serbisë më 13 tetor 2021.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se nëse diçka e tillë ndodh edhe një herë, do të ketë një rezistencë të përgjithshme të popullit serb.

“Nëse diçka e tillë ndodh herën tjetër, ne do të bëjmë rezistencë të përgjithshme. Çfarë do të thotë kjo dhe sido që e kuptoni ju, president. Ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi në dispozicion”, ka thënë Rakiq në takim.

Reagimi i NATO-s

Aleanca veri-atlantike, NATO, e sheh operacionin e Policisë së Kosovës më 13 tetor kundër kontrabandimit të mallrave si, “veprim për vendosjen e ligjit” dhe thotë se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante.

Një zyrtar i NATO- ka thënë se “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s përsëritet se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë “mbetet tërërisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të githa komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Në këtë reagim të këtij zyrtari të NATO-s thuhet edhe se “KFOR-i vazhdon të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së fundit për shtensionimin e tensioneve që kanë arritur Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, duke iu referuar pajtueshmërisë së arritur më 30 shtator.

Richard Grenell :"Joe Biden nuk duhet të heshtë"

Ish-i Dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka quajtur aksionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

“Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe duhet të ndiqet – kjo është shkelje e saj”.

“Manipulimet politike nga disa në Prishtinë, para zgjedhjeve lokale të së dielës duhet ndaluar. Kjo është e rrezikshme dhe e pamatur”, është shprehur Grenell, transmeton Klankosova.tv

“Joe Biden nuk duhet të heshtë në këtë situatë”.

Kjo valë e re protestash vjen pasi mosmarrëveshja për targat u zgjidh nga Prishtina dhe Beogradi falë ndërmjetësimit të Brukselit.

/ Argumentum.al