Ambasadori Soreca: Kjo është Demokracia! Kthimi i opozitës në kuvend dhe diskutimi me mazhorancën,

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca deklaroi sot nga Korça se, propozimet e opozitës në Kuvend do të diskutohen me mazhorancën dhe kjo është demokracia.

Në një prononcim për gazetarët, i pyetur nëse i mbështet BE propozimet e PD për Vetingun e politikanëve, për ndryshimin e hartës territoriale dhe Kodin Zgjedhor, Soreca u shpreh se, “ne natyrisht ende nuk kemi pasur mundësinë që ta shikojmë propozimin. Në fakt e dimë që është dorëzuar në Kuvend nga PD. Por siç e thashë dhe dje kur prezantova dhe dorëzova raportin e progresit, kjo është demokracia. Opozita tashmë është rikthyer në Kuvend. Atje ajo sjell iniciativat e veta, të cilat do të diskutohen ndërmjet mazhorancës dhe opozitës”.

I pyetur nëse janë të gatshëm vendet e BE që të bashkëpunojnë në të ardhmen me një PD, e cila mund të drejtohet edhe nga Berisha, Soreca tha se, “ne bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike. Ne kemi bashkëpunuar me PD-në edhe kur ajo ishte jashtë Kuvendit dhe do t’i ndjekim zhvillimet brenda partisë. Asgjë nuk do të ndryshonte. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat politike”.

I pyetur për ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim, Soreca tha se, “siç e dini ne dje kemi prezantuar progresraportin, ku e kemi bërë shumë të qartë qëndrimin e BE-së për lirinë e medies. Ne jemi shumë të qartë për rolin që luajnë gazetarët dhe i japim shumë rëndësi këtij dhe mendojmë që ky rol duhet të vijojë të jetë shumë i rëndësishëm për lirinë e medies në vend. Siç e thashë edhe dje, është kyçe, është në fakt kritike, që mediet, gazetarët të kenë akses, të kenë qasje në të gjitha aktivitetet që kryhen dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do t’i ndjekim zhvillimet nga afër, ashtu siç kemi bërë edhe në vitet e shkuara, gjithnjë edhe në lidhje me lirinë e medies, dhe do t’i ndjekim edhe në të ardhmen sepse liria e medies është kyçe për BE-në”