Ballkani Perëndimor humb “trenin” e vitit 2030-të për në BE

Editorial

Asgje e re nga “fronti” slloven, aty ku  u mbajt Samiti i radhës BE- Ballkani Perëndimor. Madje këtë do e deklaronte që në krye të herës vetë Kryeministri Rama në një intervistë për median spanjolle “El Pais”  ku tha se nuk pret asgjë nga ky samit, kjo sepse sipas tij Europa nuk është në momentin e saj më të mirë.

"Ne kemi mësuar rrugën e vështirë për të mos pritur asgjë, sepse kemi parë që Evropa nuk është në një moment shumë të mirë, me shumë probleme të brendshme dhe zgjerimi nuk pritet me entuziazëm. Ne kemi dëgjuar se për shumë vite dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Von der Leyen flet në emër të Komisionit, por Komisioni është një gjë, Këshilli është një tjetër; fjalët e bukura janë një gjë; faktet, një tjetër ... Në këtë proces ka pasur gjithmonë një, dy, tre shtete anëtare që janë kundër. Tani është Bullgaria, kështu që për ne është më mirë të mos presim, sepse kur prisni duhet të ndjeni turpin e refuzimit ”, ka deklaruar Rama.

Megjithate shpresa vdes e fundit, madje ajo forcohet edhe më shume kur dëgjon deklaratat e zyrtarëve më të lartë Europian se sa shumë e duan Ballkanin Perëndimor.

"Ky rajon ka një rëndësi strategjike për BE-në. Ne të gjithë së bashku, në deklaratën e e cila besoj se është e fortë, kemi dashur të riafirmojmë këtë perspektivë europiane, të riafirmonim që dëshira është që të punojmë me qëllim që të ketë përparim në kuadër të zgjerimit", deklaroi Charles Michel, president i Këshillit europian.

Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Leyen, tha se "Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Evropë me Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori. Ne ndajmë të njëjtat interesa, të njëjtat vlera, dhe jam thellësisht e bindur gjithashtu për të njëjtin fat. Dhe Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, kështu që Komisioni im do të vazhdojë të bëjë çmos për të çuar përpara procesin e zgjerimit, dhe integrimin e rajonit në BE, ne duam Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, Nuk mund të ketë asnjë dyshim se qëllimi ynë është zgjerimi".

E pra ndonëse në samitin ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, blloku evropian tha se ky rajon ka perspektivë evropiane dhe është rajon me "rëndësi strategjike" sërish mbetet vendnumëro.

Shqipëria brenda  dy javësh u vizitua nga  Kancelarja Merkel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ku theksuan se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe meritojmë hyrjen në BE, dhe BE  duhet të mbajë premtimin e saj. Në Slloveni duket se ka ndryshuar gjithçka.

Brenda 10 ditesh, Merkel ndryshoi deklaratën e saj nga “ kushtet të plotësuara ” në  “ nuk jeni gati”.

Nëse Merkel dhe Ursula  nga Tirana theksonin procesin e Berlinit dhe Tregun e  Përbashkët Rajonal, Kryeministri Rama theksonte iniciativen e tij dhe e Vuçiç për “Open Ballkan”

Ajo erdhi, na pa, dëgjoi dhe vendosi.

Kancelarja gjermane tha  pas përfundimit të samitit se nuk e kishte përkrahur propozimin slloven – që mban edhe presidencën e radhës në BE – për të vendosur si  afat 2030-n për kandidatet ballkanike.

“Nuk e mbështeta këtë propozim”, tha Merkel. Deri më tani “nga asnjë nga këto vende nuk kanë plotësuar kriteret”. Megjithatë Merkel theksoi, se BE ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo e argumentoi këtë me bashkëpunimin në çështjet e klimës dhe migracionit. Sipas zonjës Merkel, caktimi i një afat nuk sjell asgjë, veçse i vendos shtetet anëtare në presion.

Kështu  mbyllet kapitulli i  zgjerimit të Europës duke rikthyer procesin e këtyre vendeve pothuajse nga fillimi.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor nuk e kapin as trenin e vitit 2030 për në BE.

Pra nismëtarja e Procesit të Berlinit, Kancelarja Merkel në Samitin i BRD në Slloveni  vulosi çdo pritshmëri nga Ballkani Perëndimor. “Nuk janë gati”

Stafeten ia la Francës e cila që nga koha kur Macron u zgjodh President ka ndjekur një linjë ndryshe nga ajo e Merkel, i drejtpërdrejtë dhe më kritik ndaj vetë Europës, Macron ka qenë koherent në qëndrimet e tij ndaj zgjerimit të BE-së për  6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Para se gjithash “duhet të reformohet Europa” thekson ai. Tashmë është koha e Francës, e cila merr jo vetëm presidencën e radhës të Bashkimit Europian në fillim të vitit 2022, por pas largimit të Merkel si kancelare e Gjermanise, Franca dhe Presidenti Macron do të drejtojnë Bashkimin Europian.

Deri në reformimin e Europës, Kosova mbetet peng i dialogut dhe ende pa viza, Maqedonia e Veriut peng i vetos bullgare, Mali i Zi peng i Kishës serbe, Bosnia e Hercegovina peng i Republikës “Serpska”, Shqipëria peng i vetvetës. Serbia...” zog i lirë ”, nga Perëndimi në Lindje, dhe nga Azia në Europë.

/Argumentum.al