Basha pret delegacionin nga Senati amerikan: Demokracia në udhëkryq pas masakrës zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim, në selinë e PD, një delegacion nga Senati amerikan.

Basha u shpreh se, foli për dy çështje kryesore me përfaqësuesit e lartë nga Uashingtoni.

“Njëra ka të bëjë me demokracinë shqiptare. Udhëkryqin në të cilin ndodhet, në veçanti pas masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe rolin e PD-së dhe të opozitës shqiptare në parlament dhe në bashkëpunim me të gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e SHBA-së për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, legjitimitetit dhe sundimit të ligjit”, tha Basha.

Sigurisht, shtoi ai, “përmes një vendi që është demokratik, ku nuk shkatërrohen, por respektohen zgjedhjet e qytetarëve, ku nuk goditet dhe burgoset i pamunduri, por ndëshkohet politikani i korruptuar apo bosi i krimit të organizuar, të krijojmë një klimë investimesh nga e cila të përfitojnë shqiptarët, përmes vendeve të punës, përmes transferimit të teknologjisë dhe transferimit të kapitalit amerikan në Shqipëri”.

Basha theksoi se, “çështja tjetër ka të bëjë me rajonin, në veçanti, sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novi Sadit dhe nevojës për të përforcuar praninë politike dhe të gjithanshme amerikane për të ndalur dhe kundërvënë çdo ofensive të forcave jo perëndimore ndaj arritjeve 30-vjeçare të SHBA-ve dhe boshtit euroatlantik për stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkan. Me theks të veçantë për ruajtjen dhe garantimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe përfundimin me sukses të njohjes reciproke si guri i fundit i themelit të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Miqtë u interesuan edhe sa i përket çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilën e mbështesin plotësisht dhe për konfuzionin e krijuar mes performancës së autokratëve të Ballkanit, duke nisur nga ky i Tiranës dhe nevojës që BE t’i thotë gjërat qartë, ta vërë gishtin tek plagët e krijuara dhe tek autorët e këtyre plagëve, të cilin të gjithë shqiptarë te dinë. Në këtë rast qeveria dhe kryeministri aktual janë fajtorët e vetëm të harxhimit të aq shumë shampanje, ndërkohë që vendi mbetet jashtë dyerve të Evropës”, theksoi Basha./ata