BUKURIA E MENDIMIT ESTETIK TË SHPENDI TOPOLLAJT PËR ARTIN E PIKTURËS

Fatmir MINGULI

Në gamën e pafund të librave, tematikave apo zhanreve artistike, Shpendi Topollaj, vjen me librin mjaft interesant “Përsiatje rreth pikturës”, të cilin e botoi 2Mprinting në Durrës. Pyetjes se çfarë e lidh këtë poet, ish ushtarak dhe jurist me pikturën, përveç asaj thënies së lashtë të Horacit se “Ut pictura poesis”, sikur i jep një përgjigje bindëse piktori Çaush Vathi i cili shkruan: “Qysh kur ishte oficer dhe u njohëm teksa punonim për ngritjen e një muzeumi në repartin ushtarak të Kavajës, më ka mahnitur intelekti i Shpendit në përgjithësi dhe njohja e thellë e artit të pikturës në veçanti. Dhe ja ku e tregon mësë miri këtë, ky libër i cili është njëkohësisht dhe një kontribut tjetër i vyer në kulturën kombëtare”. Duke e njohur qysh herët atë, gjithmonë kur takoheshim dhe diskutonim në studiot e miqve tanë të përbashkët piktorë, e kisha vënë re se ai bisedonte me ta si i barabartë, thuajse  edhe ai kishte studiuar për artet e bukura. Aso kohe, as që ua kishim dëgjuar emrin celularëve a kompjuterave, ku lehtësisht mund të gjesh gjithçka nga kultura botërore, por ai nuk linte libër arti apo album, pa shfletuar me kurreshtjen më të madhe. Më vonë, nuk habitesha, kur e shihja pikërisht atë që të mbante fjalën e rastit nëpër ekspozitat e piktorëve të ndryshëm apo të botonte përshtypjet e tij nëpër gazeta me mjaft kompetencë. Dua të besoj se shumë nga pjesëmarrësit që nuk e njihnin mirë, duke dëgjuar sesi ai i zbërthente dhe vlerësonte ato piktura dhe autorët e tyre, patjetër do kenë menduar se edhe ai ishte piktor. Më kujtohet sesi njëri nga pedagogët dhe piktorët e shquar të Akademisë së Arteve, tani në pension, pyeti: “Kur ka studiuar te ne Shpendi?” Po për Shpendin, këtë pyetje e bënin edhe ambasadorë të vendeve të huaja në takimet ku ai fliste për San Peterburgun, Parisin, Athinën, Romën, Firencen.

Gjithçka ishte rrjedhojë e kulturës së tij të madhe, prandaj askush nuk duhet të habitet më sikur ai të nxjerrë një libër për muzikën fjala vjen. Dhe përveç kësaj kulture tashmë të afirmuar, tek ai ka shumë dashuri dhe nderim për të tjerët, talentin dhe punën e tyre në interes të atdheut. Sa për vetë artin e pikturës, ai shkruan: “Ajo ka lindur ndofta me vetë njeriun dhe është zhvilluar përgjatë rrugëtimit mijëra vjeçar, atëherë kur nuk kishte as fotografi, as filma e as televizione. Mendoni për një çast pikturat murale të kulturës minoane në Kretë, rreth 3.500 vjet para Krishtit, të cilat i fiksoi me hirin e vet vullkani i ishullit Santorini që ndodhej mbi njëqind kilometra larg. Dhe pastaj sillni ndërmend pikturat e gjetura në Pompei, Herkolan dhe Stabia, qytetet e shkatërruara nga Vezuvi i vitit 79 para K. A nuk flasin ato më mirë dhe më qartë se të gjitha dëshmitë që la pena e shkrimtarëve dhe historianëve me emër? E ndërthurur aq mjeshtërisht me skulpturën dhe arkitekturën, ajo vazhdon të na mahnisë me magjinë e saj. Përjetoi shkolla e rryma nga më të çuditshmet si neo - klasiçizëm, romantizëm, ekspresionizëm, impresionizëm, kubizëm, dadaizëm, realizëm, surealizëm, modernizëm e deri postmodernizëm, por mbeti i pandryshuar emocioni që ajo na ka dhënë, kënaqësia estetike, shkalla njohëse dhe mesazhi i saj”. Pastaj, duhen kujtuar fjalët e pavdekshme të William James se “Lakmi më e thellë e natyrës njerëzore është nevoja për t`u vlerësuar”.

Dhe Shpendi Topollaj e ka treguar këtë mirënjohje Proustiane ndaj atyre që me veprat që realizuan në të gjitha fushat, na kanë sjellë aq kënaqësi estetike, në gati tridhjetë librat e tij me kritika letrare. Edhe te ky libër ai shpalos perceptimin e tij estetik rreth artit të pikturës, pa e ndarë mendimin teorik rreth tyre, nga ata që i krijuan. Kështu, ai na njeh me mjaft figura të rëndësishme të këtij arti në vendin tonë, shumica, tashmë me profil të njohur si Gavril Priftuli, Nikolet Vasia, Nelo Lukaçi, Agim Faja, Agim Kavaja, Emjona Stasi, Met Baçi, Skënder Sulku, Bujar Kapexhiu, Vangjo Vasili, Ruzhdi Rrakli, Çaush Vathi, Qemal Vrioni, e deri pedagogu gjakovar Xhevdet Spahia, apo edhe më të rinjve si Marjana Goxhabelliu, Kejdi Sejdiu, Paulin Kavaja, Arben Kristani. Të gjitha shkrimet për ta janë portretizime, për të mos thënë piktura, për këta artistë që punojnë pa reshtur dhe me pasion në një kohë që vëmendja dhe përkrahja e shtetit për ta, thuajse mungon fare. Për të është krejt e pakuptimtë që pushtetarët të mos kenë mësuar asgjë nga ajo që bëri i madhërishmi Lorenzo de Medici (1449 - 1492), falë të cilit lindën për të mos vdekur kurrë gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit. Shkrimi hyrës i këtij libri është një esse e mrekullueshme, një simfoni për këtë art që ka zbukuruar në shekuj qytetërimin botëror. Ai është një kujtesë për këdo, se piktura shqiptare i detyrohet shumë, jo vetëm traditës tonë, por edhe shkollave dhe mjeshtrave të të gjithë vendeve dhe të të gjitha kohrave. Shpendi e ka ndërthurur mendimin e tij me historitë aq joshëse të atyre artistëve që na lenë edhe sot e kësaj dite me gojë hapur. Ai shpreh mirënjohjen për mikun dhe profesorin e tij, intelektualin e përmasave të mëdha Alfred Uçin i cili edhe në kushtet e çensurës tonë mesjetare, gjente mënyra për të na dhënë ecurinë e artit që ata aplikuan. Ja për shembull ç`thotë ai për mënyrën sesi profesori dinte të prezantonte të ndaluarën: “…poshtë Tavanit të Sistinës ai shkruante: “Përpunimi realist i motiveve dhe i figurave biblike transmeton dramën e njeriut të epokës së Rilindjes në afreskun e Mikelanxhelos”.

Vërtetë e besonte kush se skulptori dhe piktori i madh, qysh në fillim të vitit 1500 mendonte si Karl Marksi?” Me një intuitë të pagabueshme, ai gjen kohën dhe vendin e duhur për referencat e veta. A nuk ishte vetë Bejli ai që arsyetonte se “Aftësia për të cituar saktësisht është një talent më i rrallë nga ç`duket?” Bagazhi i dijeve të tij është aq i rëndë, sa pa tjetër do lerë gjurmët e veta në rrugëtimin e tij letrar. Kjo bije në sy edhe te ky libër, ku ai i referohet njohësve të shquar të fuqisë emocionuese të pikturës. Kështu, mund të themi se ai librin e famshëm të E.H.Gombrich “Historia e Artit” e ka përvetësuar ashtu siç ka përvetësuar edhe mitologjinë, për të cilën ka shkruar disa libra, si fjala vjen, ajo që do ta quaja minienciklopedi “Esse rreth shprehjeve mitologjike”, në kapakun e së cilës ka vendosur pikturën e Athinasë me përkrenare, heshtë dhe bufin te këmbët e saj. Shpendi citon nga autori i sipërpërmendur: “Çdo vdekatar i zakonshëm e ka tepër të vështirë të përfytyrojë sesi qe e mundur që një qenie njerëzore të arrijë atë që arriti Michelangelo - ja gjatë katër vjetëve punë, vetëm për vetëm, në skelerinë e faltores papale… Begatia e risive të papara ndonjëherë, mjeshtëria e pagabueshme në ekzekutimin e çdo detaji dhe, mbi të gjitha, madhësia e atij vizioni që Michelangelo zbuloi për ata që erdhën pas tij, i kanë dhënë njerëzimit një ide krejt të re për forcën e gjeniut”. Vetë ai e ka të padyshimtë faktin se gjenitë e tillë nuk i përkasin vetëm një kombi; me veprën e tyre duhet të krenohet e gjithë raca njerëzore, edhe për faktin se vepra e tyre e ka shtrirë ndikimin e vet deri në ditët e sotme, tek artistët e çdo vendi të botës. Kjo është mesa duket edhe arsyeja pse ai e rreshton Nderin e Kombit Ibrahim Kodra, krahas gjigantëve si Da Vinci, Giotto, Botticelli, Titiani, Raphael, Tintoretto, Durer, Goya, El Greco, Caravaggio, Rubens, Velasquez, Rembrandt, Delacroix, Van Gogh, Manet, Renoir, Sezane, Degas, Monet, Shagall, Dali, Picasso, Gauguin, Pollock, Kandinsky, Munch etj. Krahas tyre, ai kujdeset të vijojë me ata që i dhanë emër arti tone, duke filluar nga Onufri, Selenicasi, Shpataraku, Kolombi, Xega, Idromeno dhe gjithë aradha e piktorëve tanë të njohur anë e kënd vendit. Vëmendjes së tij nuk i shpëtojnë (si një kujtesë edhe për ne), as ato revistat e dikurshme që vinin nga ish B. S. ku u njoh me veprën dhe jetën e Serovit, Surikovit, Shishkinit, Evazovskit, Levitanit me shokë. Ai pohon se “Ato pamje me Carë e Caresha, bogatirë, popull para mureve të Kremlinit, ca gra sherrxhesha që më ngjanin gjithmonë si Koroboçka e Gogolit, ishin në korelacion të plotë mesa kisha lexuar gjer atëherë për atë popull dhe sidomos ato përrallat mahnitëse ruse a fabulat e Ivan Krillovit”.

Piktorëve të rinj ai vërtetë nuk merr përsipër t`u japë këshilla, por nuk i rrihet pa kujtuar porosinë e Dalisë që “Filloni të pikturoni si mjeshtrat e vjetër, pastaj bëni ç`të doni: do të jeni gjithmonë të respektuar”. Kuptohet qartazi se simpatia e tij është së pari pikturën e traditës. Ndaj dhe deklaron se duke u larguar prej tyre merr me vete shijen e një drite të praruar dhe ideve që fshihen pas saj, dhe mbrapa e ndjekin fjalët e Viktor Hygoit për Rembrandtin: “Paleta e tij është ngjyer në rrezet e diellit”. Por kjo s`do të thotë se ai nuk e pëlqen edhe atë modernen. Ai, duke bërë fjalë për këtë pyet: “Pse a nuk dinte vallë në vitin 1928 Picasso të pikturonte një kokë?” dhe përgjigjet po me pyetje: “Atëherë si shpjegohet që ai, i pranuari si më i madhi i shekullit që shkoi, na e ka dhënë atë me trajta që të kujtojnë dadaizmin? Kështu që artisti kërkon rrugë të reja komunikimi me ata (shikuesit), rrugë ndofta krejt të reja, ndofta edhe të kundërshtuara. Një piktor i tillë, më shumë sesa t`i qëndrojë besnik riprodhimit, kërkon të krijojë dhe të japë ato ndjeshmëri që njeriu nuk i gjen tjetërkund”. Duke folur për krijimtarinë e Xhevdet Spahisë, Shpendi arrin në përfundimin se ashtu si piktori muzikant Paul Klee, edhe ai nuk planifikon, por e nis dhe e lë të rritet vetvetiu tabllonë e tij. “Xhevdeti e di mirë - shkruan ai -  se kushdo që do t`i shohë pikturat e tij, sado i vëmendshëm që të tregohet, nuk ka për të mbajtur mend asgjë imtësisht. Madje, ka rrezik që ai t`i ngatërrojë ato, dhe aty për aty t`i duken të pamotivuara. Por piktori ka bindjen se kushdo prej tyre, do të ndihet mirë estetikisht, do të mbetet i përfshirë nga magja e ngjyrave, nga harmonia e tyre, nga ndriçimi vezullues që ato rrezatojnë, që ashtu si notat e muzikës, kanë kodin e tyre të deshifrimit. Vërtetë poshtë tyre nuk ka diçitura, por ç`rëndësi ka kjo, kur vetë shikuesit i nxitet fantazia. Dhe njeriu, ose më drejtë psikika e tij, kështu është ndërtuar. Ai ka aftësinë të përfytyrojë. Dhe askush nuk e pengon atë t`i vijë ndërmend bukuria e vendlindjes së tij, rrugët e shtruara me kalldrëm, tymi që del nga oxhaqet e shtëpive, apo ajo qershia që lulëzon në pranverë, pranë gardhit. Kurrë nuk duhet harruar misteri, bukuria dhe forca joshëse e të pashpjegueshmes. Të krijosh të tilla efekte te të tjerët, është arritja më e mrekullueshme për çdo artist”. Një gjykim pak a shumë romantik i cili nuk ka sesi të mos i bëjë për vete edhe ata që për artin modern tregohen skeptikë.

Në këtë libër, Shpendi ka përfshirë dhe një novelë për një ngjarje të vërtetë, të titulluar “Portreti”, ku flitet për një djalë shqiptar mjaft të kulturuar i cili për t`i shprehur mirënjohjen pronarit italian Zhezuin Serra në Bergamo, që e kishte përkrahur kur qe refugjat dhe duke ditur dashurinë e tij për pikturën, në shenjë mirënjohjeje i dërgon portretin e tij të bërë nga miku i tij Nikolet Vasia, gjë që e lumturoi plakun, i cili me mallëngjim e falenderime tha se e kishte paraqitur tamam si njeri, si gjithë të tjerët. Dhe ky libër i Shpendi Topollajt që i kushtohet mikut të tij Skënder Kokobobos, piktorit mjaft të talentuar, por që fati ja dëmtoi shikimin, mbyllet me një poezi të tijën të quajtur “Ironia e moshës”, të cilën për hir të bukurisë dhe domethënies së saj, po e jap të plotë: “Kur kërkonte piktori model për shejtanin, / E çuan diku te një plak i shëmtuar. / As bijt` e shejtanit aq shumë s`mund t`i ngjanin, / Babait të tyre, sa ky plak i harruar. / Por duke pozuar, një lot se ç`i doli, / Teksa peneli i vinte brirët dhe bishtin. / Kur piktori e pyeti: “Pse qan?” ai foli: / “Kur isha i ri, kam pozuar për Krishtin”. Por ajo që s`plaket kurrë është piktura dhe librat si ky, kushtuar asaj.

/ www.argumentum.al