Dorëhiqet drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu: "Dua t’i përkushtohem më shumë familjes"

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është dorëhequr nga detyra.

Ardiu Veliu mori këtë detyrë të rëndësishme në 5 shkurt të 2018, pas shkarkimit të Haki Çakos si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Por tashmë sipas tij, ka ardhur koha që t’i përkushtohet familjes dhe fëmijëve, që siç thotë Veliu janë në një moshë delikate dhe në këto 4 vite i ka munguar prezenca e babait.

“Në këto moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë ne një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite”, argumenton Veliu.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit rendit edhe sukseset në këtë post, duke u shprehur se ka bërë më të mirën duke menaxhuar situata  të vështira.

“Për mua ka qene një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit ne një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrfikikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap me të mirën time dhe te forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit te organizuar e atij te rrugës, flukset e emigranteve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme”, thote Veliu ne letren drejtuar Rames.

Screenshot 2 4

Vetë Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut. “Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”, shkruan Rama.

Ky shkarkim-dorëheqje vjen pas afatit 100 ditor për rritjen e përformancës, të vendosur nga kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë largimi i  z.Veliu është kërkuar përgjatë gjithë kohës që ai ka drejtuar policinë e shtetit.

Gjithsesi në vetëm 1 muaj nga zyrtarizimi i mandatit të tretë të qeverisë Rama, janë regjistruar disa ngjarje kriminale. Rreth një javë më parë në lagunën Kune-Vain të Lezhës, mbeti i vrarë nënkomisari i policisë Saimir Hoxha. Ndërsa vetëm një ditë më parë në qytetin e Elbasanit u ekzekutuan me armë zjarri dy persona të përfolur si njerëz të botës së krimit.

Po ashtu ditën e djeshme në Veri të Shqipërisë u rrëzua një avion i dyshuar se transportonte drogë, dhe dy pilotët arritën të largoheshin pa gjurmë me një fuoristradë.

Një këmbanë alarmi jo vetëm për trafikimin e lëndeve narkotike në vend por edhe për kërcënimin e sigurisë ajrore që përballet vendi.

Pse është kaq i vështirë  artikulimi “shkarkim” për Ardi  Veliun?

Ndonëse mediat  lajmëruan që prej mesdites shkarkimin e z.Veliu, duket se ka patur një hezitim nga qeveria që ta bëje publike këtë vendim.

Fillimisht drejtori për komunikim me media pranë kryeministrisë z.Fuga e ka mohuar një lajm të tillë. Ndërsa ministri brendshëm, ka dhënë një përgjigje aspak të denjë si zyrtar i lartë para komisionit të sigurisë… Do e merrni vesh në momentin e duhur. Kur t‘i mbaroj kandili.”- tha Çuçi.

Sapo lajmi i shkarkimit u zëvëndësua me lajmin e dorëheqjes së z.Veliu, Kryeministri Rama menjëherë bëri publike letren e dorëheqjes së z.Veliu duke shprehur vlersimet maksimale për të si drejtues i Policisë së Shtetit.

Në këtë letër z.Veliu deklaron se është koha për t’iu përkushtuar familjes. Pikërisht në moshën 49 vjeçare ai vendosi të “pensionohet” për pak kohë.

Ardi Veliu, Drejtori i "paprekshëm"  i Policisë së Shtetit

Nën drejtimin e Ardi Veliu, policia e shtetit ka qenë si kurrë më parë nën sulmin e opozitës por dhe shoqërisë civile dhe  qytetarëve shqiptare pas disa skandaleve të njëpasnjëshme të këtij drejtuesi në mënyre direkte dhe indirekte.

Kutojmë se Veliu, u pyet në komisionin parlamentar të sigurisë në lidhje me një ngjarje të 15 majit 2020, kur një qytetar xhiroi me celular momentet kur katër oficerë policie dhunonin një adoleshent pasi ky i fundit kishte shkelur orarin e ndalim-qarkullimit të vendosur në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Në lidhje me rastin e djalit 15-vjeç është e vërtetë se nëse dua të marr në mbrojtje policët, ata kanë një moment të kapërcimin e kompetencës. Ai është pezulluar. Por a është në të vërtetët djali që i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja?”, deklaroi Veliu para deputetëve, para se të hapte celularin e tij për të treguar një video.“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, deklaroi Veliu para deputetëve.

Në fakt linçimi që drejtori i policisë i bëri një gruaje dhe një nënë solli reagim të madh të shoqërisë civile duke kërkuar dorëheqjen e  tij por që ai nuk u largua. Qeveria  u mjaftua me një falje publike nga ana tij dhe kaq.

Po ashtu në dhjetor të 2020 pas vrasjes së Klodian Rashes nga një polic, me qindra të rinj u ngritën në protesta duke i kërkuar dorëheqjen  drejtorit të policisë së shtetit. Por edhe në këtë rast Kryeministri Rama e mbrojti z.Veliu.

Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie”, tha Rama.

Shkarkimi i Veliut është kërkuar nga opozita si figura kyçe në manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit ndaj i menjëhershëm ka qene reagimi i Sekretarit të Pergjithshëm të Partise Demokratike.

Gazment Bardhi, PD thotë se me largimin e tij “Policia e Shtetit sot ka një bandit më pak”. Bardhi përmend edhe disa nga “rekordet e zeza” të policisë, sipas tij, nën drejtimin e Veliut.

Ky i fundit i paraqiti dorëheqjen kryeministrit Edi Rama ditën e sotme, ku shprehej se do t’i përkushtohet familjes.

Deklarata e Sekretarit të Pergjithshëm të PD, Gazment Bardhi:

Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak. Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.

Nën drejtmin e policisë nga Ardi Veliu:

Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi.

Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.

Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve.

Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë.

Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota  për partinë në pushtet.

Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona.

Argumentum.al