"Erë e re" në Maqedoninë e Veriut/ VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet lokale. Zoran Zaev jep dorëheqjen

Maqedonia e Veriut pas fitores së thellë të zgjedhjeve lokale nga opozita, VMRO-DPMNE-ja , shumë shpejt do ti drejtohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE-ja shpalli fitoren në shumicën e komunave në balotazhin për zgjedhjet lokale që u mbajt të dielën (31 tetor) në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave nga shtabi i kësaj partie, Shkupi është fituar nga kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që kishte mbështetjen e VMRO DPMNE-së dhe të opozitës shqiptare.

Kryetari i opozitës, Hristjan Mickoski, në daljen e parë për shtyp në këtë raund të dytë ka falënderuar të gjitha ata që kanë dalë të votojnë dhe bënë të mundur fitoren e opozitës në këto zgjedhje. Ai tha se pa mbështetjen e opozitës shqiptare, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptaret, por edhe E Majta, kjo fitore nuk do të ishte e mundur. Ai tha, se sot, ata si opozitë hodhën të gjitha barrierat, dhe se në Maqedoni është e mundur një bllok tjetër qeverisës. Me këtë, ai shtoi, se zgjedhjet parlamentare janë shumë afër.

Maqedonia nga sot do të filloj të ëndërrojë. Të gjithë bashkë për Maqedoninë e së ardhmes. Kjo është dita kur do fillojnë ndryshimet. Ndryshimet për çdo njeri për një jetë më të mirë. Kjo është fitorja e të gjithë qytetareve. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë dalë të votojnë sot. Falënderoj të gjithë komunitetet pa dallim feje apo bindje. Sot fituam të gjithë bashkë. Falënderoj Alternativën, Aleancën për Shqiptarët dhe të majtën sepse sot hodhëm poshtë të gjitha barrierat. Kjo na tregoi se një opozitë e bashkuar mund të fitojë. Maqedonia pa korrupsion, pa mafie. Shumë shpejt presim zgjedhje të ardhshme parlamentare- tha Mickoski.

Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) balotazhin për zgjedhjet lokale megjithese ka humbur bastionet kryesore shqiptare  ka vlerësuar si demokratik ndërsa publikoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna.

“Zgjedhjet janë zhvilluar sipas të gjitha standardeve demokratike. Ishte një proces me rëndësi për të ardhmen e komunave. BDI ka fituar Strugën, Kërçovën, Dollnenit, Çairit, Bogovinës, Tearcës dhe në Haraçinë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lëvizja BESA shpalli fitoren në Tetovë dhe Zhelinë

Lëvizja Besa ka shpallur fitoren në Tetovë, ku sipas Arjanit Hoxhës nga kjo parti, kryetar i ri i komunës do të jetë Bilall Kasami, i cili sipas tij ka fituar bindshëm kandidaten e BDI-së, Teuta Arifi.

“Lodhja e tetovarëve nga qeverisja katastrofale tetëvjeçare e BDI-së, ka bërë që fitorja jonë dhe oferta për një Tetovë ndryshe të jetë arsyeja e fitores tonë”, ka deklaruar Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA.

Kryeministri aktual Zoran Zaev jep dorëheqjen

Kryetari i Lidhjes Socialiste Demokrate, Zoran Zaev, në daljen e parë pas këtyre zgjedhje, ka dhënë dorëheqjen si kryeministër i vendit dhe si kryetar i LSDM-së.

“Jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe  pozita e kryetarit të LSDM-së”, deklaroi Zaev duke marrë përgjegjësinë për humbjen.

Zaev më parë kishte deklaruar se në rastin e një humbje të mundshme ai do të jepte dorëheqje. Kjo është hera e dytë që Zoran Zaev jep dorëheqje si kryeministër dhe dërgon vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Një akt që duhet vlerësuar dhe përshëndetur. Si duket Maqedonia e Veriut sot po i jep leksione demokracie të gjithë rajonit.

/Argumentum.al