“Gazetaria në kohë krize”/ Përfaqësuesja e OSBE-së: T’u dalim në krah gazetarëve dhe një media të lirë e të pavarur

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro deklaroi sot se “shoh qartësisht një nevoje urgjente t’u dalim në krah gazetarëve, gazetarisë, si dhe një media të lirë e të pavarur”.

Në fjalën e saj në konferencën “Gazetaria në kohë krize”, të zhvilluar në Tiranë, ku merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ribeiro tha se “këtë vit konferenca e medias në kohë krizash kërkon të ripohojë rëndësinë e gazetarisë si një e mirë thelbësore publike dhe një shtyllë kyçe e shoqërive demokratike”.

“A ishte e premtja e shkuar një ditë e mirë apo e keqe për lirinë e medias? Ndoshta dikush mund të thotë ‘ditë e mirë’, dita kur gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Moratov me të drejtë morën çmimin Nobel për paqen për punën e tyre të guximshme dhe mbrojtjen e pareshtur të lirisë së medias. Një ditë e mirë, sepse Komiteti i Nobelit në mënyrë konkrete iu referua lirisë së shprehjes dhe të gjithë ata njerëz përkrahën këtë të drejtë themelore në një botë ku demokracia dhe liria e shtypit përballen gjithmonë e më tepër me kushte të vështira.
Një shenjë e trishtë e kohëve tona, mund të thoshte dikush ku gazetarë të fortë, të pavarur e të besueshëm shpesh privohen që ti shërbejnë interesit publik për të kontribuar për një qytetari më të informuar e aktive, si rojtarë që i mbajnë përgjegjës ata në pushtet për të siguruar një peizazh pluralist të medias”, – theksoi Ribeiro.

Ky çmim, vijoi ajo, është i nevojshëm për të theksuar edhe një herë se aftësia e gazetarëve për të kryer punën e tyre kërcënohen nga një sërë sfidash të reja e të vjetra që ndërthuren dhe që i kanë vendosur gazetarët në një pozicion gjithmonë e më problematik dhe kjo është më e vërtetë se kurrë.

“Në të gjithë rajonin e OSBE-së ne përballemi me një mjedis gjithnjë e më tepër armiqësor ndaj medias. Ka një besim të brishtë publik dhe një ndjesi kundër medias në rritje, e përkeqësuar nga informacioni që qarkullon me një shpejtësi marramendëse dhe që shtrihet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo pritje negative kombinohet me dhunën në rritje, ngacmimin dhe trysninë, sidomos kundër atyre që hetojnë rastet e korrupsionit dhe probleme të tjera në sektorin publik dhe privat. Në internet jemi dëshmitarë të zhvillimeve të rrezikshme, sidomos ato shënjestrojnë gazetaret gra, të cilat vijojnë të përballen me kërcënime që janë specifike gjinore dhe abuzimet përkatëse”, theksoi Ribeiro.

Sipas saj, këto prirje kanë një efekt dramatik në aktivitete me interes publik, krijojnë një klimë frike dhe vetëcensure, kërcënojnë gazetarinë, funksionet demokratike dhe e privojnë publikun nga informacioni thelbësor që u duhet në mënyrë që të marrin pjesë plotësisht në shoqëritë tona.

“Të gjitha këto meritojnë vëmendjen dhe angazhimin tonë të vazhdueshëm. Na duhet të promovojmë fort një media të pavarur dhe të përkrahim gazetarinë e interesit publik në të gjitha kanalet mediatike qofshin këto radiofonike, televizive, platforma të shtypit të shkruar dhe digjitale”, – tha ajo.

Del Monaco: Të mbështesim gazetarinë që bazohet te faktet

Kryetari i Prezencë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vicenzo Del Monaco në fjalën e tij gjatë kësaj konference theksoi se, “ngjarjet kuptimplota nuk ndodhin rastësisht. Ato nisen nga një vizion dhe shoqërohen me shtysën e qëllimit dhe me vendosmërinë për ta synuar këtë të fundit”.

“Më lejoni t’i shpreh mirënjohjen zonjës Përfaqësuese të Lirisë së Medias, koleges sime Teresa Ribeiro, për mbështetjen e përzemërt për organizimin e konferencës së sotme këtu në Tiranë, si dhe për lidershipin e fortë. I shpreh mirënjohje edhe SH.T.Z. Kryeministër Edi Rama për mbështetjen e menjëhershme dhe për angazhimin personal. Ngjarjet e mëdha mbështeten gjithashtu në ekipe të sprovuara dhe falënderimet u shkojnë të gjitha ekipeve që u morën me punën përgatitore, nga ekipi i Vjenës, te misionet simotra të OSBE-së në rajon, dhe patjetër edhe ekipit tim”, tha ai.

Del Monaco theksoi se, “hera e fundit që kjo konferencë rajonale u organizua në Shqipëri ishte në vitin 2013. Nëse mundem të përmend një aspekt personal, viti 2013 ishte viti kur erdha për herë të parë në këtë vend kaq të bukur dhe që prej asaj kohe dashuria ime për popullin shqiptar vazhdon. Përparimi mbresëlënës që Shqipëria ka bërë ndërkohë në shumë fusha vetëm se e rrit respektin që kam për të”.

“Gazetaria në kohë krize është fatkeqësisht titull shumë i goditur. Në njëfarë mënyre, kriza po kthehet në “gjendjen tonë normale”. Pjesëmarrësit që po na ndjekin nga interneti na kujtojnë kufizimet me të cilat përballemi ende si pasojë e pandemisë COVID-19. Nuk do të përsëris këtu se si pandemia ndikon te funksionimi i institucioneve demokratike. Aktualisht, po përjetojmë një numër të qenësishëm krizash, si brenda dhe jashtë zonës së OSBE-së. Qoftë në “kohë të mirë”, në kohë krize, apo në kohë sfidash, gazetaria vijon të jetë element thelbësor i çdo rebusi demokratik, si edhe shtysë e jashtëzakonshme e përparimit shoqëror”, theksoi ai.

Del Monaco shtoi se, “qëllimi i kësaj konference është të zhvillojmë një debat të hapur dhe profesional për potencialin dhe sfidat e tablosë së medias. Ne duam të hedhim shikimin përpara dhe, duke qenë se kjo është nismë e OSBE-së, ne duhet të mbajmë vështrimin te tabloja e gjerë. Në sytë e mi, tabloja e gjerë do të thotë të vendosësh të parët individët, të punosh për të pasur shoqëri të hapur dhe të japësh kontribut për të pasur rend ndërkombëtar të sigurt. Dhe, në këtë pikë, media ka rol të epërm. Media është objektiv që duhet mbështetur në vetvete për arsye të cilat i njohim shumë mirë dhe nuk ja vlen t’i radhisim përsëri. Por mbase mbi të gjitha media duhet parë si sinaps shoqëror, si mundësues dhe si mjet që lidh shtresat shoqërore, institucionet, aktorët shtetërorë dhe joshtetërore dhe qytetarët”.

Le t’u hedhim një sy shifrave: po të krahasojmë Evropën Juglindore të sotme me atë të 20 viteve më parë është e dukshme se përparimi i medias është i padiskutueshëm. Me popullatë prej afro 18 milionë qytetarësh, ky rajon ka larmi shumë të madhe të organeve mediatike: rreth 3500 organe mediatike që veprojnë aktualisht, normë depërtimi të internetit ndërmjet 80 dhe 90 %, dhe 10 departamente gazetarie në universitete.

“Të paktën në parim, këto shifra tregojnë liri të përgjithshme të medies, zonë ku informacioni qarkullon pa u penguar dhe ku gazetarët ndërlidhen më njëri-tjetrin. Nuk është rastësi që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po zhvillon, paralelisht me këtë konferencë, një takim të Shtigjeve Rinore, program ky që synon të sigurojë ndërlidhje edhe për gazetarët e rinj. Ne duam që të rinjve t’u dëgjohet zëri në lidhje me mënyrën se si media formëzon jetët e tyre, jetët tona. Dhe dëshiroja që ta bënim këtë diskutim këtu në Tiranë, ku vitin tjetër do të zhvillohen veprimtaritë në kuadër të Kryeqytetit Rinor Evropian”, vijoi ai.

Del Monaco shtoi se, “kjo liri e përgjithshme e medies nuk duhet marrë asnjëherë dhe askund si e mirëqenë. Dhe kur dalin pengesa, ato duhet të trajtohen me shpejtësi dhe me seriozitet. Për shembull, ne duhet të sigurohemi që gazetarët të kenë mundësinë të punojnë në mjedis lejues, të sigurt dhe që parimisht ofron qasje të lirë tek informacioni. Duhet të mbështesim gazetarinë që bazohet te faktet, të prapësojmë me vendosmëri lajmet e rreme dhe të sigurohemi për pavarësinë e gazetarëve nga kontrolli i pronësisë mbi medien. Po flas për një mjedis që pasqyron realitetin e sotëm, larminë shoqërore dhe pluralizmin”.

“Më lejoni tani të jap disa mendime rreth disa prej paneleve të tjera. Thelbi është që gazetaria është partnere strategjike e institucioneve shtetërore dhe e qytetarëve në kuadër të përpjekjeve për të çliruar shoqërinë, për t’u përballur me polarizimin dhe për të ndërtuar sigurinë. Nuk është detyrimisht “ndarje e re e punës”. Po mendoj në fakt që mbase nuk mjafton thjesht të reflektojmë për një të vërtetë kaq të madhe”, vijoi ai.

“Le të bëjmë një hap pas dhe të hedhim përsëri vështrimin te tabloja e gjerë. Kur shqyrtojmë dinamikat e sotshme, ne shohim dy botë të ndryshme. E para, është botë me kufij kombëtarë: është bota që na kanë mësuar në shkollë, të paktën në kohën time; pra, rezultat i marrëdhënieve klasike ndërshtetërore me karakter vestfalik. E dyta, është botë me një numër të paprecedent rrjetesh, e ashtuquajtura botë e “lidhur”. Është bota që shohim prej hapësirës falë korridoreve të dritës; bota e platformave dixhitale”, theksoi Del Monaco.

Ai vijoi se, “Facebook-u për shembull ka 2.85 miliardë përdorues mujorë në të gjithë botën, shifër e cila tejkalon dyfishin e popullatës në rajonin e OSBE-së (rreth 1 miliard e 289 milionë banorë). Vetëm Instagram-i me një miliard përdorues në të gjithë botën i afrohet numrit të shtetasve që jetojnë në të gjithë rajonin e OSBE-së”.

“Këto shifra janë pasqyrë e forcës dhe e potencialit që kanë bota e lidhur, individët, por edhe gjigantët e platformave të reja dixhitale. Nuk mjafton në vetvete vetëm mundësia për t’u lidhur që njerëzit vërtetë të lidhen. Për të lidhur njerëzit na duhet t’u japim atyre një ndjesi qëllimi, dhe sërish kemi shumë nevojë për median, për median e mirë, që të na ndihmojnë për arritjen e këtij objektivi madhor”, tha Del Monaco.

“Aq më tepër në kohë krize, në një kohë kur ka boshllëk të përgjithshëm edhe me karakter etik, gazetaria cilësore është thelbësore për t’u ofruar individëve një busull për të lundruar në oqeanin e informacionit. Mediat bëhen partnere të domosdoshme të Shtetit për dhënien e kontributit për fuqizimin e njerëzve, për forcimin e rimëkëmbjes së kombit dhe patjetër edhe sigurisë për të gjithë. Kur them partner, e mendoj këtë në mënyrë strategjike, dhe kjo sigurisht nuk do të thotë që partneriteti përkthehet në harmonizim dhe mungesë kritike. Gjatë tri ditëve të fundit, kam pasur mundësinë të flas me gazetarët e rinj dhe kam besim se paneli i fundit për perspektivat e të rinjve do të na japë mundësinë për të marrë kontributin e tyre të vlefshëm për të ardhmen e medias në këtë rajon, rolin e tyre dhe se si e interpretojnë ata vetërregullimin e medieve. Dilema ndërmjet rregullimit dhe vetërregullimit është, në fakt, çështje mjaft kritike.

“Besimiose ndoshta duhet të them mungesa e tij, është një tjetër koncept kyç. Pyes veten, mos ndoshta kjo përbën një tjetër sfidë për këtë rajon? Me gjithë rëndësinë e vet, besimi qëndron në themel të çdo partneriteti ndërmjet institucioneve dhe medias, por edhe ndërmjet publikut dhe medias. Besimi në gazetarinë cilësore është një shigjetë e domosdoshme që kemi në dorë për t’u përballur më lajmet e rreme.

“Në përfundim, do ta drejtoja kursorin nga ne, tek OSBE-ja dhe te kolegët e mi të Trupit Diplomatik. Cili është roli ynë këtu? Unë e besoj vërtet se ne kemi ende rol të jashtëzakonshëm për të luajtur që të ndihmojnë njerëzit të lidhen, që t’u japim atyre një ndjesi qëllimi, që të punojmë së bashku kundër polarizimit dhe për një botë më të sigurt. Diplomatët si bartës të një diplomacie të re në një botë të re. Kjo është pikërisht ajo që ne si OSBE po bëjmë: dëgjojmë pa përjashtim të gjithë bashkëbiseduesit dhe u mundësojmë një tryezë neutrale atyre që janë të gatshëm për t’u angazhuar në dialog, për të mbështetur politikat dhe për t’u lidhur. Duke qenë se ne vërtet besojmë në vlerën e madhe të shtuar që ka përfshirja e individëve në diskursin për sigurinë, ne kemi përqafuar qasjen me të gjithë shoqërinë bashkë dhe ne konkretisht përfshijmë të rinjtë dhe qasjen gjinore në të gjitha aktivitetet tona programore, dhe këtë e përshëndetën edhe të gjithë bashkëfolësit gjatë vizitës së fundit të Kryetares së Radhës të OSBE-së, pak ditë më parë.

“Kjo është mënyra unike dhe gjithëpërfshirëse e të kuptuarit të sigurisë, e cila është e rrënjosur në të gjitha dokumentet tona themelore dhe e cila përkthehet në veprimtari të përditshme kudo ku ka mision të OSBE-së që punon në terren”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vicenzo Del Monaco.