Gledis Nano emërohet drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Gledis Nano emërohet në postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Lajmin e dha sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave deklaroi se, “sot qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe emërimin në këtë detyrë të Gledis Nanos”.

Duke folur për ish-drejtorin e Policisë, Ardi Veliu, Çuçi tha se, ai largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar në nivele, si asnjëherë tjetër në këto 30 vite, performancën e Policisë së Shtetit dhe këtë falë përkushtimit maksimal, profesionalizimit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demonstruar në këto 4 vite në drejtimin e Policisë së Shtetit.

“Dhe besoj se të gjithë treguesit e sektorit të Policisë flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë, të performancës së Policisë së Shtetit në nivele maksimale”, u shpreh Çuçi.

Për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi theksoi se, “është një oficer karriere dhe së fundmi ka shërbyer për një kohë të gjatë si drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit”.

“Pa diskutim që ka një sfidë pikërisht për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite”, theksoi ai.

Çuçi u shpreh se ka vlerësim maksimal për Veliun duke u shprehur se Policia gjatë drejtimit të tij ka pasur arritje në të gjithë sektorët.

“Numri i vrasjeve është përgjysmuar që nga 2013-a. Apo operacioni “Forca e Ligjit” që ka çuar në pranga rreth 78 anëtarë të krimit të organizuar apo ka sekuestruar 200 milionë euro vetëm në këto vite”, tha Çuçi.

Çuçi përmendi edhe performancën dhe besueshmërinë që është rritur ndaj institucionit të Policisë së Shtetit.

“Ka qenë në nivelin e 35 % në 2013-ën dhe sot është në nivelet e 65 %,”, tha Çuçi, duke shtuar se këto shifra kanë dalë nga matjet e bëra nga sondazhe të pavarura të financuara nga organizata ndërkombëtare, ku në rastin konkret ka qenë Suedia.

Për objektivin e vendosur nga Kryeministri për rritjen e performancës së Policisë së Shtetit në 100 ditë, Çuçi tha se, “ne gjithmonë vendosim objektiva”.

“Gjithmonë synojmë për më mirë, gjithmonë synojmë që ta përmirësojmë Policinë e Shtetit. E vetmja konstante e jona është ndryshimi. Prandaj në këto momente sjellim një energji të re me synimin që të realizojmë edhe objektivat apo të gjithë angazhimet që kemi marrë ne në mandatin e tretë të qeverisjes së Shqipërisë”, tha ministri Çuçi.