Helmimi i 500 qytetarëve në Krujë, përgjigjet Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot se po priten ende përgjigjet e analizave bakterologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit të afro 500 qytetarëve në Krujë gjatë këtyre ditëve.

Sipas saj gjendja në spitalin e Krujës është aktualisht e kontrolluar dhe sot janë nën kujdesin e mjekëve 14 qytetarë.

Manastirliu tha se ka disa pista hetimi ku po investigohet për të përcaktuar shkakun e helmimit.

Në çfarë faze është hetimi aktualisht për qytetarët e helmuarit në Krujë?

Manastirliu: Nga raportimet që më kanë ardhur nga ISHP dhe operatori i kujdesit vendor në Krujë janë ende në pritje të pergjigjeve të analizave bakterologjike për analizat që janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit që po investigohen nga ekspertët tanë.

Dua të theksoj se tani në Krujë gjendja është e kontrolluar.

Sot janë rreth 14 qytetarë përfshirë këtu edhe fëmijë e adoleshentë që janë duke marrë shërbim pranë spitalit, por gjendja ka qenë nën kontroll.

Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie e sot janë vetëm 14 të shtruar që do lënë spitalin sapo të përfundojnë protokollet e kujdesit.

Do ju informoj sa po të kemi raportet përfundimtare të analizave bakrerologjike.

Bashkia e Krujës ka marrë masat për të gjithë përballimin e situatës për desinfektimin dhe elementët e tjerë që i përkasin sigurisë së shëndetit publik.