Konsumi, investimet dhe eksportet rritën ekonominë

“Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë shqiptare në afatin e mesëm, falë zgjerimit të konsumit, investimeve rritjes së shpenzimeve buxhetore dhe eksporteve”.

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa theksoi se, “ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje të shpejtë gjatë vitit aktual dhe të zgjerohet me ritme të qëndrueshme gjatë viteve në vijim”.

Kjo ecuri, tha Guvernatori, pritet të mbështetet nga ambienti i favorshëm i huaj, nga reduktimi i pasigurisë në vend, nga një miks stimulues politikash monetare dhe fiskale, si dhe nga përmirësimi i bilanceve të sektorit privat. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve.

Sejko tha se, sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja ekonomike shënoi nivelin 17.9 % në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare ka rikuperuar thuajse tërësisht humbjet në aktivitetin ekonomik të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia.

“Rritja e aktivitetit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë, ajo pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave e shërbimeve. Në terma sektorialë, ajo pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të aktivitetit ndërtues, të aktivitetit industrial dhe të atij të shërbimeve. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit, në vend dhe në botë. Ky ndikim pritet të jetë kalimtar”, u shpreh Sejko.