Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie "për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Ministrja Gërvalla, tha se një vendim i tillë do t'i kontribuojë partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë të rëndësishëm, në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta. Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, tha se "Kosova është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike dhe veprimeve ekzekutive si dhe pjesëmarrjes aktive në Koalicionin Global".

Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e pasurive ndalimin e udhëtimit dhe të vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.

Vendimi është në pajtim me sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Hezbollahut, një fraksion i fuqishëm shiit që ka deputetë në Parlamentin e Libanit.