Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane.

Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Kupchan, administrata amerikane ka nominuar së fundmi ambasadorë të rinj në tri shtete të Ballkanit. Jeffrey Hovenier në Kosovë, Christopher Hill në Serbi dhe Michael Murphy në Bosnje-Hercegovinë. Gabriel Escobar është po ashtu i ri në pozitën e tij si zëvendës-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe si i dërguar për Ballkanin. Disa thonë se këto vendime tregojnë që Shtetet e Bashkuara kanë synime serioze në këtë rajon. Si e komentoni këtë?

Charles Kupchan: Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë.

Pra është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon. Po ashtu mendoj që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet me prioritet për administratën Biden, në mënyrë që të përfundohen proceset e zvarritura nga e kaluara?

Charles Kupchan: Nëse dëshironi të thoni se a është prioritet global? Përgjigja është jo. Unë them se ai ka dy prioritete kyçe. E para, që e dominon presidencën e tij, është rregullimi i gjërave brenda SHBA-së, miratimi në Kongres i paketave të mëdha për investime, për të ndihmuar popullin amerikan dhe për t’u siguruar se epoka e Trumpit, apo diçka e ngjashme, nuk do të përsëritet më kurrë.

E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende.

Unë mendoj se e di si përfundon kjo gjë. Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet.

"SHBA dhe BE të bashkojnë forcat për marrëdhëniet Kosovë-Serbi"

Radio Evropa e Lirë: Në dëshminë e tij para Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, më herët gjatë këtij muaji, Hovenier ka thënë se nëse i konfirmohet nominimi, ai do ta inkurajojë Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A mund të shohim një marrëveshje në mes të dyja vendeve gjatë mandatit të tyre? Në çfarë shkalle e shihni fleksibilitetin e dy palëve në arritjen e një marrëveshjeje?

Charles Kupchan: Mendoj se duhet dhënë merita, kur ka të tilla. Administrata Trump ka bërë përparim në këtë fushë, pra ka pasur lëvizje në aspektin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhënet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim. Mendoj se një nga gabimet që ka bërë administrata Biden është se ka ndjekur rrugën si e vetme, dhe BE-ja po ashtu rrugë të vetme. Pres të shoh SHBA-në dhe BE-në që të bashkohen për të shënuar përparim në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ky më duket ekipi më i mirë për të çuar çështje përpara.

Marrë me shkurtime nga REL