Presidenti palestinez, Abbas kërkon nga SHBA të rihapë konsullatën e saj në Kuds

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan Joe Biden që të rihapë konsullatën e saj në Kudsin Lindor nën pushtim.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, në një fjalim në një konferencë me drejtuesit palestinezë në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, Abbas kërkoi që SHBA-ja t'i japë fund bllokadës financiare që zbaton ndaj Palestinës dhe të rihapë përfaqësinë e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) në Washington.

Gjithashtu Abbas i ka bërë thirrje administratës së Bidenit që të rihapë sërish konsullatën e tyre në Kudsin Lindor nën pushtim.

Abbas vuri në dukje se takimi i tyre ka për qëllim rindërtimin e Gazës, heqjen e bllokadës që vazhdon që nga viti 2006 si dhe përgatitje për dialog kombëtar gjithëpërfshirës mes të gjitha grupeve, përfshirë lëvizjet "Hamas" dhe "Xhihadi Islamik" me objektivin për t'i dhënë fund ndarjes dhe për të formuar qeverinë e Unitetit kombëtar të lidhur me legjitimitetin ndërkombëtar që do të punojë për bashkimin e dy anëve të vendit.

Në takim Komiteti Ekzekutiv i PLO-së mori vendim që të mbajë një mbledhje të Bordit Qendror Drejtues të organizatës jo më vonë se muaji janar.

Në takim u vendos që liderëve botërorë dhe organizatave ndërkombëtare t‘u dërgohen letra me qëllim që të sigurohet kalimi i tyre në veprim për të ndalur vendbanimet e paligjshme dhe sulmet izraelite kundër palestinezëve. Po ashtu u theksua nevoja për zhvillimin dhe zgjerimin e rezistencës paqësore popullore si dhe forcimin e rolit të udhëheqjes së bashkuar kombëtare që do të çojë në një revoltë gjithëpërfshirëse kombëtare kundër pushtimit.

Administrata e Palestinës dënoi klasifikimin nga Izraeli si organizatë terroriste të 6 organizatave të shoqërisë civile palestineze dhe theksoi se mbështetja e saj do të vazhdojë për organizatat në fjalë.