Rama për Radio Televizionin e Spanjës : Njohja e Kosovës nga Serbia, kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova është problemi i fundit në rajon që ende është i pazgjidhur që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

“Sigurisht që Kosova është problemi i fundit ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Rama në një intervistë për Radio Televizionin e Spanjës, RTVE.

Rama po ashtu u pyet edhe për qëndrimin e Spanjës që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Por, duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet për pavarësi apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.