Rusia reagon ndaj deklaratës së Ramës: Planet për krijimin e një Shqipërie të madhe minon stabilitetin në rajon.

Ministria e Jashtme ruse ka dhënë një deklaratë zyrtare me anë të zëdhënëses, Maria Zakharova, lidhur me deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, gjatë një emisioni televiziv, i cili tha se bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës është në aspirata e tij,

Përmes zëdhënëses, Ministria e Jashtme e konsideron të papranueshme deklaratën e kryeministrit Rama dhe thotë se promovimi i planeve për krijimin e një Shqipërie të madhe minon stabilitetin në rajon.

“Deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në lidhje me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën na duket tërësisht e papranueshme. Të nxitësh plane për të krijuar Shqipërinë e Madhe, do të thotë t’i kundërvihesh rezolutës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 1244, dhe kërcënon stabilitetin në rajon”, tha zëdhënsja Maria Zakharova.

“Kjo lloj deklarate e pavend nuk i qëndron kontekstit të përpjekjeve të përbashkëta të Beogradit dhe Tiranës për të krijuar një treg të përbashkët nën nismën rajonale të Ballkanit të Hapur, e zhvilluar në bashkëpunim me Shkupin”, thuhet më tej.

Ministria e Jashtme ruse fton vendet “që mbrojnë Kosovën” që të reagojnë nga deklarata e Ramës, ndërkohë që sipas saj nuk i kursejnë Beogradit kritika për konceptin e “paqes serbe”.

/ Argumentum.al