Shkup: Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale

Në 44 nga 80 komuna që ka Maqedonia e Veriut po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Sot zgjidhet edhe kryebashkiaku i Shkupit që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Sipas zëdhënëses së KSHZ-së Ljupka Guguçevska votimi në 2,481 qendrat e votimeve po zhvillohet normalisht, me disa probleme të vogla teknike, por jo si ato të raundit të parë, që kishin të bëjnë kryesisht me probleme me votimin biometrik.

"Në disa qendra votimi janë regjistruar probleme teknike, por ato janë tejkaluar. Shumica e problemeve janë me pajisjet e gjurmëve të gishtërinjve. Nga informacionet që kemi deri tani në disa qendra votimi aparatet biometrike nuk qe e mundur të aktivizoheshin, por ekipet e specialistëve po ndihmojnë për tejkalimin e problemeve”, tha Guguçevska.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të drejtë vote në raundin e dytë kanë 1.353, 990 qytetarë.

Beteja midis kandidatëve të pozitës dhe të opozitës

Beteja kryesore në raundin e dytë zgjedhor zhvillohet mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë, mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së në njërën anë dhe atyre të BDI-së me Lëvizjen BESA dhe partitë e opozitës Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Garë interesante zhvillohet në Tetovë ku diferenca nga raundi i parë është tejet minimale midis kandidatëve Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA, në Gostivar mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së, në Qair midis Visar Ganiut nga BDI dhe Bekim Salit nga koalicioni ASH-AA.

Për Dibrën garojnë Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga BDI ndërsa në Strugë Ramiz Merko i BDI-së dhe Idri Istrefi i Aleancës për Shqiptarët.

LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Procesi i votimit me protokoll pandemie

Qytetarët votojnë nën masat mbrojtëse nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues. Raundi i dytë po mbikëqyret nga rreth 1,300 vëzhgues vendorë, dhe afër 200 nga OSBE-ODIHR. Vëzhgues kanë akredituar edhe shumë ambasada të huaja në vend.

Të shtunën të drejtën e votës e realizuan të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me Covid-19.

Qendar e votimit mbyllen në orën 19.00 ndërsa rezultatet e para do të duhet të publikohen 12 orë pas mbylljes së tyre.

Në rundin e parë më 17 tetor u zgjodhën 34 kryetarë komunash si dhe këshillat komunale të të gjitha 80 komunave. Aty më shumë komuna fitoi opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Demokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev fitoi në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.