Shqipëri-Egjipt, tre marrëveshje bashkëpunimi

Shqipëria dhe Egjipti nënshkruan sot në Kajro marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës.

Marrëveshjet u nënshkruan për palën shqiptare nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Këto marrëveshje u nënshkruan në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës arabe të Egjiptit, Moustafa Madbouly.

Një ndër marrëveshjet e nënshkruara ishte memorandumi i mirëkuptimit mbi bashkëpunimin në fushën e muzeve ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të lartë të Antikiteteve të Republikës Arabe të Egjiptit.

Po ashtu u nënshkrua programi ekzekutiv mbi bashkëpunimin kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës Arabe të Egjiptit, si dhe protokolli i bashkëpunimit ndërmjet panairit të librit në Tiranë dhe Organizatës së përgjithshme të librit egjiptian.

Pas nënshkrimit të tre marrëveshjeve, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Republikës arabe të Egjiptit, Moustafa Madbouly, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke e falënderuar kryeministrin egjiptian, Rama tha se “ajo çka ndoshta është tipari më i çmuar dallues i Egjiptit, kultura juaj e jashtëzakonshme do të jetë po kështu bazë për bashkëpunimin tonë në fushën kulturore”.

“Ne jemi shumë të vegjël, por jemi krenarë për kulturën tonë dhe besojmë kemi çfarë t’ju tregojmë njerëzve tuaj, por edhe ju keni kaq shumë gjëra për ti treguar njerëzve tanë. Pra le të punojmë së bashku, të shikojmë nga e ardhmja me bindjen që ka pasur një arsye pse historia na ka lidhur kaq fortë le ta shndërrojmë këtë arsye në besimin se është njëfarësoj amaneti i paraardhësve që mes Shqipërisë dhe Egjiptit, mes shqiptarëve dhe egjiptianëve do të ketë një rrugë të përbashkët drejt së ardhmes”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “na takon ne të përpiqemi e të ndërtojmë për më mirë e të përpiqemi e të forcojmë marrëdhëniet tona. Dua t’ju falënderoj për hapjen, për disponibilitetin tuaj për të ecur përpara duke bërë bashkë një komision të përbashkët duke identifikuar fushat tona të bashkëpunimit ku duhet të nxitim për të bërë më shumë”.

Kryeministri i Republikës arabe të Egjiptit, Moustafa Madbouly tha se “kjo vizitë e rëndësishme reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historike mes vendeve tona gjatë dekadave. Kemi pasur diskutime të rëndësishme sot gjithashtu kemi parë aspekte të diskutimit dypalësh dhe kemi diskutuar çështje ndërkombëtare me interes të ndërsjellë”.

“Patëm nderin që të priteshim edhe nga shkëlqesia e tij Presidenti Abdul-Fattah Sisi, ku edhe njëherë u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve tona. Duke qenë në dy rajone të rëndësishme atë të Ballkanit dhe në Lindjen e Mesme dy vendet luajnë një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar stabilitetin brenda dy rajoneve tona. Gjithashtu diskutuam për fushat e mundshme të bashkëpunimit në vitet që vijnë”, theksoi Kryeministri Madbouly.

Kryeministri egjiptian u shpreh se “me Kryeministrin Rama diskutuam mënyrat për të rritur e forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve e kombeve tona, gjtihashtu diskutimet tona u përqendruan tek rritja e bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshi turizmin, energjinë, tregtinë dhe kulturën”.

“Gjithashtu shkëmbyem edhe pikëpamje për çështje ndërkombëtare, diskutuam edhe  mbledhjen e seancës së parë të komitetit për bashkëpunimin teknik, shkencor e kulturor që do të bëhet në Tiranë muajin tjetër. Ky takim do të jetë një kuadër mbështetës për marrëdhëniet tona e do të nxitë bashkëpunimin për ekonominë e investimet. Theksova gjithashtu edhe ngritjen e një komisioni të përbashkët të këshillit të biznesit të Shqipërisë dhe Egjiptit me përfaqësues të Federatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Natyrisht kjo do të inkurajojë që të vijojnë marrëdhëniet më tej”, – tha Madbouly.