“S’kemi drita!” – por na duhen dritat!

Imzot George Frendo O.P.
Kur erdha në Shqipëri si misionar kam jetuar, për dy vjet e gjysmë, në një fshat, ku kalonim orë të tëra pa dritë elektrike. Dhe sa shumë gëzoheshim kur, pas shumë orësh në errësirë, më në fund vinin dritat! Veçanërisht në kohën e sotme, ku gati gjithçka varet nga dritat elektrike ... për të dëgjuar lajmet, për të shikuar një ndeshje, për të hekurosur, për të hapur emailin, për të përdorur lavatriçen ose frigoriferin ...
E urrejmë errësirën! Duhet të punojmë. Por si mund të punoj kur mezi mund të lexoj? Kemi nevojë për dritat. Në errësirë nuk mund të shohim pisllëkun që duhet të pastrohet, bukuritë që na rrethojnë, njerëzit që qëndrojnë pranë nesh.
Kush kënaqet me errësirë? Vetëm hajdutët. Këta presin me padurim të errësohet, që të mund të zbatojnë planet e tyre. E kush nuk dallon errësirën nga drita? Vetëm të verbrit.
Por përveç dritës së syve kemi nevojë edhe për dritën e zemrës. Sikurse drita e syve mund të shohë pisllëkun që atëherë mund të pastrohet, ashtu edhe drita e zemrës na aftëson të shohim gabimet ose mëkatet tona që të mund të pastrohen. Sikurse drita e syve na aftëson të shohim bukuritë që na rrethojnë, ashtu edhe drita e zemrës na aftëson të vlerësojmë dhuratat me të cilat na ka stolisur Zoti. Sikurse drita e syve na ndriçon të njohim ata që janë afër nesh, ashtu edhe drita e zemrës na ndriçon të kuptojmë se në shtegtimin tonë drejt Zotit nuk jemi vetëm, sepse jemi një Kishë, një familje e madhe që quhet “Kisha e Krishtit”.
T’i lutemi Zotit të na dhurojë dritën e zemrës,
* që të mund të shohim vetveten, me të gjitha të mirat dhe të këqijat që kemi, me vullnet të mirë të shkëputemi nga çdo gjë që na shëmton: veset tona, indiferenca jonë në marrëdhëniet tona me Zotin dhe me të tjerët;
* që të mund të takohemi me Krishtin, Drita e vetme që mund ta ndriçojë botën: atëherë përpiqemi të jemi më afër atij, pa munguar për meshën e shenjtë në ditën e festës sonë, ditën e diel;
* që të mund të shohim fytyrën e Krishtit në të gjithë të tjerët, pa kujtuar të kaluarën kur ndoshta jemi grindur me ta, dhe pa mbetur indiferentë ndaj nevojave të të tjerëve;
* që të vlerësojmë bukurinë e jetës kur feja dhe dashuria na bashkon dhe duke përpjekur më shumë të çmojmë të mirat e të tjerëve sesa të dënojmë mungesat e tyre;
* që të mund të vlerësoni bukurinë e jetës suaj familjare, duke përjetuar atë gëzim që keni provuar atë ditë kur jeni martuar, duke kërkuar të jeni sa më shumë afër njëri-tjetrës dhe afër fëmijëve, frytit të dashurisë suaj të ndërsjelltë.
Janë shpirtërisht të verbër ata që ende nuk kanë zbuluar gëzimin e thirrjes së krishterë. Ju uroj të hapen sytë tuaj për ta zbuluar!