Unioni i Transportit Publik njofton përgjysmimin e urbanëve në Tiranë/ Kaos në ditën e parë të fillimit të ri akademik

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik njoftuan sot se duke nisur po nga dita e sotme do të përgjysmohet numri i urbanëve, që qarkullojnë në Tiranë.

Sipas deklaratës së tyre, ky veprim vjen si shkak i mosmarrjes së masave nga ana e qeverisë për të kompensuar humbjet që sektori i transportit publik kishte pësuar gjatë pandemisë. Në deklaratën e tyre shtojnë se sektori ka shkuar deri në kapitullimin ekomomik.

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysëm nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.

E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit,jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.

Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në isntitucionet vendore dhe ato qëndrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori. Duke kërkuar mirkuptimin e qytetarve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e isntitucioneve përgjegjëse”, përfundon njoftimi nga Unioni i Transportit Publik.

Ky njoftim i papalajmëruar për qytetarët, ka bërë që këta të fundit  të presin gjatë në stacione, duke humbur kështu punën apo orët e mësimit.

Kjo situatë vjen pikërisht sot kur fillon viti i ri akademik dhe kemi një mbingarkese nga studentët , cka e bën më të papërgjegjshme këtë vendim të Unionit të Transportit Publik.

Për këtë ka reaguar edhe Bashkia Tiranë e cila thotë se do të marrë masat përkatëse në lidhje me këtë situatë.

 "Bashkia po e ndjek situatën dhe po merr masat përkatëse, konform kontratës me operatorët e transportit.", thuhet në reagimin e Bashkisë Tiranë.

Ndonëse nga njëra anë ky union kërkon të drejtat e tij, nga ana tjetër qytetarët e këtij vendi  privohet  e drejta e transportit publik.

Nuk dihet si do vijoje më tej, por mbetet emergjente zgjidhja  e kësaj cështje, jo vetëm për shkak të pritjes së gjatë të qytetarëve, nxenësve dhe studentëve nëpër stacione por dhe mbingarkesës dhe tejmbushjenën e urbanëve si pasojë e përgjysmimit të tre në këto kohë pandemie, ku kërkohet distancim.

/Argumentum.al