Zhvillohet protesta e parë përpara Kryeministrisë për rritjen e çmimeve

Shoqëria Civile organizoi sot një protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve në vend.

Protestës iu bashkuan edhe qytetarë të Tiranës, të cilët me pankarta në duar protestuan kundër rritjes së çmimit të bukës, ushqimeve të shportës dhe karburantit.

Aktivisti i Shoqërisë Civile, Adriatik Lapaj tha se “ky vend ka shumë nevojë të dëgjojë pa zbukurime të vërtetën e popullit të vet ashtu si ajo është. E vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet e Shqipërisë është të qëndrojmë dhe të kundërshtojmë rritjen e çmimeve”.

Protestës iu bashkua edhe aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj, i cili theksoi se “jemi të gjithë këtu për atë pabarazi që i shkaktohet qytetarëve, sepse për çdo gabim që bën qeveria e paguajmë gjithmonë ne. Kur kemi gabim ne paguajmë ne, kur ka gabim qeveria paguajmë prapë ne. Kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë për fëmijët që duam të rrisim në këtë vend, për të gjithë ata të rinj e të reja që nuk kanë mundësi të marrin një shtëpi, nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë”.

Gjatë protestës fjalën e mori Panoko Soko, i cili akuzoi qeveritarët se e mbajnë popullin të varfër për t’i pasur nën kontroll, ndërsa vetë pasurohen çdo ditë e më shumë.

”Ata (politikanët) nuk e dinë, nuk kanë shkuar ndonjëherë në dyqan për të parë çmimet. E gjitha bëhet për t’i mbajtur njerëzit e varfër sepse kështu i kontrollojnë. Prandaj duhet të bëhemi bashkë përballë saj”, u shpreh Pano Soko.

Avokati Adriatik Lapaj tha gjithashtu gjatë protestës se populli duhet t’i thotë “Jo” rritjes së çmimeve.

“Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, tha z. Lapaj.

Protesta ka qenë qytetare, pa incidente. Protesta e sotme ka qenë e paralajmëruar, ndërsa edhe opozita bëri thirrje për t’iu bashkuar kësaj proteste.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër ka bërë thirrje për të treguar kujdes dhe për të shmangur grumbullimet.

Madje në një  njoftim të parë, Ambasada e cilësoi këtë protestë si të organizuar nga Partia Demokratike, por pas mohimit e këtij lajmi nga selia e PD-së , ambasada amerikane e ndryshoi këtë njoftim për qytetarët amerikanë në Shqipëri.

Argumentum.al