A po fërkojnë duart serbët me emisarët e rinj të SHBA-së në Ballkan?!

Nga Ben Andoni

Në një logjikë fare të thjeshtë, ardhja e tre diplomatëve të njohur respektivisht në krye të përfaqësive të SHBA-së në Prishtinë, Bosnjë dhe Beograd, që e njohin mirë rajonin, veçanërisht problemin Kosovë-Serbi, është inkurajuese. Për shqiptarët. Por, jo pak edhe për rajonin. Në një analiza sasiore, një gazetar i huaj përmendi plot 100 vjet përvojë të këtyre tre diplomatëve në Ballkan. Por veçmas tyre kemi të emëruar edhe emisarë me po kaq përvojë në poste të tjera si të dërguar në Gadishull. Ballkani Perëndimor është tashmë i stërlodhur me zvarritjen e proceseve të integrimit nga BE-ja, problemeve të pafundme të brendshme, autokracisë së politikanëve të saj, por më shumë se çdo gjë tjetër: mungesa e dritës në fund të tunelit. Me çfarë shikohet, zyrtarët amerikanë kanë treguar se konform politikës së pragmatizmit të tyre nuk duan të ecin më me marshet e kontinentit plak.

Bash këtë hapësirë paqartësie shfrytëzoi ditët e fundit Beogradi zyrtar në organizimin e një aktiviteti që mbart në kohët tona pak fare lidhje me të. Pothuaj 10 ditë më parë, autoritetet serbe kremtuan 60 vjetorin e mbledhjes së parë të shteteve anëtare të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, të mbajtur në vitin e largët 1961, asokohe ish-kryeqyteti i Federatës Jugosllave. Në një sens lidhur me ligjin ndërkombëtar, Serbia e sotme vërtet e mbart trashëgiminë e Federatës, pasi paguan borxhet e saj. Anipse është pjesë e një realiteti të ri, që e ndan shumë me “Lëvizjen e të Paangazhuarve”, ashtu si kjo e fundit në vetvete nuk është se përbën më ndonjë organizatë politike me ndikim në botë. Veçse, kjo nuk e ndaloi Serbinë ta bënte këtë kremtim edhe me një aktivitet shumë përkujtimor por edhe të shoqëruar me një panair armësh me pjesëmarrës vende të Lindjes dhe Perëndimit, që kaloi jo pa ndonjë bujë, shtuar me pjesëmarrjen e Rusisë në nivelin e ministrit të jashtëm dhe vendeve të atëhershme themeluese, Indisë dhe Egjiptit. A po mundohet Serbia të krijojë një realitet tjetër? Me gjasa po: atë të kinse Mosangazhimit, që ajo e thekson paralel me doktrinën e saj të Neutralitetit. Në një farë mënyre duke ecur në një fashë historie, që i ngjan shumë pak asaj të kohës së Titos. “Mosangazhimit” të sotëm serb i mungon një element: Nguti për t’u armatosur dhe retorika tejet luftënxitëse! Dhe si provë e kësaj, ditët e kremtimit të “Mosangazhimit” në Serbi nisën manovrat e përbashkëta ushtarake të forcave ajrore të Serbisë dhe të Rusisë të koduara “Bars 21”, për të mos harruar afrimin e njësive të Republikës Serbe në kufirin me Kosovën, kërcënimin e Cetinjës, shqiptimin gati zyrtar të “Botës Serbe” apo shtimin e buxhetit dhe skërmiten e dhëmbëve që po u bën me radhë të gjithë fqinjëve.

Vallë nuk shihen më këto nga politika e sotme nga SHBA-ja? Jo vetëm shihen por në një farë mënyre kjo është ndoshta dhe një nga arsyet më të mundshme, që tashmë vinë emisarë dikur protagonistë, mbase jo të gjithë në rreshtat e para, por në teatrin e ngjarjeve në Bosnjë, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe veçanërisht në Kosovë. Mbi të gjitha, burokratë që e njohin shumë mirë edhe ekuilibrin shumë të vështirë SHBA-Rusi, ku këta të fundit tashmë janë më shumë se protagonistë të problematikave në Ballkanin Perëndimor.

Veçse ajo qetësi e paqtë që po përjeton Kosova zyrtare dhe analizat shumë optimiste të njerëzve të saj, nuk është se po ndihmojnë shumë për të parë më thellë. Në këto kohë, problemet janë thelluar pasi nuk është më as edhe ajo këmbëngulje e zyrtarëve të SHBA-së, që jo pak herë u kanë tërhequr vëmendjen zyrtarëve të Kosovës, duke shkuar drejt një plani pajtimi me Serbinë, që duket se do ketë shumë kosto për Republikën e re të Kosovës. “Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre duke implementuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kjo përfshin edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë sëfundmi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Deri më sot, ende nuk është bërë publike mënyra ose elementët e strukturës si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo si palët janë marrë vesh mes vete, ka nënvizuar ai më poshtë. Në fakt, nga pala kosovare ka qëndrime diametralisht të kundërta, pasi qeveria Kurti ka deklaruar se nuk do të implementohet askurrë Asosacioni i Komunave me shumicë serbe, ashtu si e konceptojnë këta: Pra me fuqi ekzekutive. Kurse serbët e kanë çështjen kryesore në raundin e ri të Brukselit dhe gati me shumë pak hapësira të lëna për t’u negociuar. Dhe, kjo problematikë duhet t’i lerë pa gjumë tash e tutje zyrtarët e Kosovës dhe mënyrën sesi do të dalin më të fituar pas kësaj situate, ku duket se problemi i ri kërkon jo thjesht djersë, por lëshime.

Por të kthehemi pak pas: Dihet mirë qëndrimi i ashpër i presidentit Biden ndaj Serbisë dhe pro pavarësisë së Kosovës. Vetëm se do të ishte po ai që në rangun e zv/presidentit bëri edhe kërkesë faljen e parë të SHBA-së ndaj Serbisë, kur shprehu ngushëllime për viktimat civile të fushatës ajrore të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja atje në vitet 1990. Pak para tij, ishte Sekretari i atëhershëm i Shtetit  i ndjeri Colin Powell, që më 2 prill 2003, bash tre javë pas vrasjes së ish-kryeministrit kryeministrit Zoran Gjinxhiç, zhvilloi një vizitë që u konsideruar si e  papritur në Beograd. Fjalët e tij do të ishin jo vetëm tejet inkurajuese për Serbinë por madje i dhanë hov përpjekjeve të tyre për integrimin: “Amerika do të bëjë gjithçka dhe do t’ju ndihmojë, në çdo mënyrë, në përpjekjet tuaja për t’u bërë pjesë e Evropës. Nuk ka kufi për sasinë e asaj ndihme”.

Çfarë ka ndodhur qysh atëherë?! Serbia ka intensifikuar marrëdhënien me SHBA-në, kurse pak kohë më parë, ambasadori i ri i Serbisë Gjuriç, ish-i dërguari për Kosovën i pohoi “Zërit të Amerikës” se marrëdhënia mes dy vendeve e justifikonte një rritje prej 50% të stafit serb të ambasadës dhe madje edhe planet për të hapur një zyrë tregtare në San Francisko më vonë.

Duke ardhur në ndryshimet e reja kupton se emrat e Cristopher Hill në Beograd, Jeffrey Hovenier në Prishtinë dhe Michael Murphy të japin një sens të menjëhershëm që tregon se SHBA-të kanë filluar të logjikojnë konkretisht për të ardhmen e interesave të tyre në Ballkan, këtë herë jo në afat shkurtër si me rastin e presidentit Trump dhe Marrëveshjen e tij, që kërkonte t’i jepte pak pikë në fushatë zgjedhore, por drejt një përfundimi real. Presidenti i ri Joe Biden me një karrierë të gjatë sidomos në Bosnjë në fillim të viteve  ’90 dhe pastaj edhe në Kosovë me të cilën e lidh kujtimi i djalit të vdekur, që kontribuoi për administratën vendase, ka qenë i pashembullt në retorikën e tij ndaj serbëve. Paçka gjuhës së kuruar në kohët e fundit kemi një kujdes më të madh të tij ndaj Serbisë dhe me sa duket këto përbëjnë dhe sugjerimet e zyrtarit të lartë të sapoemëruar për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Gabriel Escobar, që tek e fundit duket se do të shbëjë nga ana tjetër atë dorë që SHBA ia la Europës për periudhën e pasluftës në Ballkan.Të mos harrojmë se Evropa vazhdon të humbë kohë me të dërguar dhe këshilla boshe dhe mbi të gjitha ta fusë në një qorrsokak të ardhmen e vendeve të Ballkanit duke shkaktuar probleme aspak të vogla, por edhe duke i dhënë Serbisë gjithnjë e më shumë mundësi.

Ndaj tre emisarët e rinj, kanë ardhur me misione të mëdha të zgjidhin sidomos ngërçet aspak të vogla në zonat më të papërballueshme për paraardhësit e tyre, respektivisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. A do mundi përvoja e tyre të çojë diku më lart se paraardhësit?! Për fat të keq, nuk jemi më me SHBA-në që të imponohej, kurse tashmë ka arritur puna, që edhe një zyrtar si Gjuriç, të cilin Kosova do e degjeneronte pak pa sens pikërisht prej sjelljes së tij, të bëj karshillëqe: “Ne kemi përfituar shumë nga partneriteti ynë me Kinën, por po aq me Rusinë, me SHBA dhe me Bashkimin Evropian,” do shprehej diplomati Gjuriç, duke përshkruar një “qasje të balancuar” ndaj politikës së jashtme, sipas tij i rrënjosur qysh prej fillimit të organizimit të serbëve. “Ne kemi edhe nga periudha e dinastisë Nemanjiç – kjo është tani më shumë se 800 vjet më parë – një thënie se Serbia duhet të jetë Perëndim në Lindje, Lindje në Perëndim dhe në të njëjtën kohë, mbi Lindjen dhe Perëndimin”. Dhe, po aty:“Ne i kushtojmë vëmendje të madhe të mos shkojmë përtej interesave tona kombëtare. Në këtë kuptim, ne gjithmonë vlerësojmë analizën e kostos dhe përfitimit të gjithçkaje”.

A do jetë e mjaftueshme kjo që SHBA të kuptojë se diplomacia kërkon dhe forcën por edhe një qëndrim më të hapur ndaj Serbisë për të vendosur pikat mbi “i”?! Mbase ndaj këta të tre zyrtarë kanë ardhur të sqarojnë gjëra, që paraardhësi e tyre i kishin thjesht të lexuara. Dhe, më shumë akoma, do t’i duhet të ç’bëjnë dhe punën e të dërguarit special të Donald Trump, Richard Grenell, që krijoi aq tollovi dhe pasiguri. Megjithatë, me të gjithë optimizmin në Kosovë e kudo në botën shqiptare, pas Afganistanit, është gjithnjë e vështirë të shikosh e të llogarisësh forcën reale të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Po a i po fërkojnë duart serbët me emërimet e emisarëve të rinj? Koha do të na tregojë më shumë, por mbase është shansi i fundit për dialogun Serbi-Kosovë, të futet të paktën… në hulli. (Homo Albanicus)