Ambasada greke kërkon shpjegim nga Meta për ekspozitën për genocidin çam/ Presidenca: “Presidenti i Shqipërisë nuk jep llogari para asnjë ambasade, por vetëm para popullit shqiptar

Një ekspozitë e titulluar “Vështrim historik etnokulturor i Pellzagjisë-Epiri-Thesproti-Çamëri”, ka sjell reagime të ashpra nga Greqia.

E përditshmja greke Protothema shkruan se autoritetet në Greqi i e quajnë provokim mbështetjen që i ka dhënë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ekspozitës të iniciuar nga Akademia “Rrënjët shqiptare” dhe fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini”.

Kjo media bën me dije se pas prezantimit të fotografive për çamët ka pasur një reagim nga ambasada greke në Tiranë.

Protothema shkruan se ambasada greke në Tiranë i ka kërkuar shpjegime presidentit.

Po ashtu kjo media ka publikuar dhe disa foto ku shihet Presidenti Ilir Meta dhe stafi i tij bashkë me organizatorët e ekspozitës duke parë fotografitë dhe hartat për Çamërinë që janë të vendosura në murin e jashtëm të presidencës.

"Provokim!" Ambasada greke kërkon shpjegim nga Meta për

Presidenca ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar në mediat greke, ku presidenti Ilir Meta mori pjesë një ekspozite për Çamërinë të organizuar nga Akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile.

Zëdhënësi për mediat në Presidencë, Tedi Blushi, përmes një reagimi thekson se kreu i shtetit, ka marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar jashtë ambienteve të institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Reagimi i plotë i Presidencës:

Në përgjigje të interesimit të “News 24", lidhur me reagimet në mediat e një vendi fqinj për ekspozimin në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidentit të Republikës të një ekspozite të organizuar nga Akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës z.Tedi Blushi sqaron se:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.
Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.
Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.