Ambasadorja Yuri Kim, takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano: "Ligjzbatimi të mbetet i paprekur nga çfarëdo ndikimi që vjen nga jashtë"

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano.

Ky është takimi i parë zyrtar mes ambasadores së SHBA dhe kryepolicit Nano, i cili mori detyrën më 7 tetor.

Pas takimit Nano, në një prononcim për mediat, tha se lufta ndaj krimit e korrupsioni nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm dhe se bashkë do ia dalim për të pasur më shumë siguri e rend në vend.

Sapo zhvilluam një takim me zonjën ambasadore. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të SHBA-ve, siç dihet SHBA-të janë partneri ynë strategjik dhe kemi mbështetjen kryesore të Policisë së Shtetit për trajnimet, logjistikën, konsulencën kështu që e vlerësoj shumë këtë bashkëpunim dhe këtë mbështetje dhe e sigurova znj. ambasadore që Policia e Shtetit do jetë në nivelet më të larta të performancës për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Kërkova dhe mbështetje që agjencitë ligjzbatuese mund të japin për Policinë e shtetit. Kjo është një luftë që nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm, dhe duke marrë parasysh mbështetjen deri tani, jam i bindur që bashkë do ia dalim për të pasur më shumë rend dhe siguri në vendin tonë”, deklaroi Nano.

Ambasadorja Yuri Kim tha se bashkëpunimi i fortë i SHBA dhe Shqipërisë për çështje të ligjzbatimit mbetet i rëndësishëm dhe i fortë.

"Pata një takim shumë të mirë këtë mëngjes, erdha për ta përgëzuar për pozicionin e ri. Rikonfirmova që bashkëpunimi i fortë i SHBA dhe Shqipërisë për çështje të ligjzbatimit mbetet i rëndësishëm dhe i fortë. Do vazhdojmë të ofrojmë sa më shumë mbështetje të jetë e mundur që nga pajisjet. Diskutuam për rëndësinë sesi ligjzbatimi të mund të mbetet i paprekur nga çfarëdo ndikimi që vjen nga jashtë".

Kujtojmë se në gusht të këtij viti ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim vlerësoi me çmimin e veçantë Gledis Nanon, atë kohë në cilësinë e drejtorit të Antiterrorit, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të ambasadës amerikane me policinë e Shtetit për të luftuar terrorizmin.

Nano ka drejtuar operacionet e riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë të mbetur në kampet e ISIS në Siri.

Argumentum.al