ARTISTI XHEVAT LIMANI – PROMETEU QË SHPËRNDAN KUDO NË BOTË FLAKËN E SHQIPTARIZMËS

Shpendi TOPOLLAJ

I pashoq në atë që është dhe në atë që bën, aktori, regjisori dhe dramaturgu strugan me banim në SHBA, Xhevat Limani, kur e takon për herë të parë, të duket njeri krejt i zakonshëm. Jam njohur me të në Fierishtë, buzë liqenit të Ohrit, vendlindja e tij, kur ai kishte ardhur në dasmën e kunatës së sime bije. Kishte një portret imponues, me flokë dhe mjekër të gjatë e pak të zbardhur, me zë kumbues dhe me sy zhbirues që dukej se fshihnin së brendshmi një zjarr që priste të shpërthente. Fliste qetë, mendueshëm dhe fare thjeshtë, me të gjithë ata që vinin dhe e takonin. I pyeste me rrënjë e me degë, çka linte të kuptoje se largimi qysh nga viti 2002, nuk ja kishte zbehur aspak kujtesën. Por siç mësova më pas, ai vinte shumë shpesh aty. Vinte, pasi i shtyrë nga ndërgjegja profesionale dhe sidomos ajo atdhetare, dhe duke jetuar me hallet e problemet që u nxirrte koha shqiptarëve kudo që ishin, e ndiente si detyrë të jepte ndihmesën e tij. Ishte ndihmesa e çmuar e një artisti emërmadh, i cili kishte zgjedhur forcën e fjalës për të ngritur peshë zemrat e bashkëkombasve të tij në këto kohë që ai me të drejtë i quante të vështira. Vërtetë kufijtë qenë hapur dhe Kosova e kishte fituar pavarësinë e saj, por ende kishte mjaft pika të pazgjidhura, si me shtetin maqedon, si me djallëzitë serbe, ashtu edhe me ndërkombëtarët. Për më tepër, grindje e përçarje kishte edhe midis vetë shqiptarëve. Në këto kushte, ky artist që kishte studiuar në klasën e Faruk Begollit, që kishte dhënë si profesor në gjimnaz gjuhën dhe letërsinë dhe që kishte aktruar për rreth dy dekada në Teatrin Shqiptar të Shkupit, e për më tepër, që kishte krijuar “Teatrin Shqiptar në Amerikë”, nuk mund të kufizohej vetëm me disa pjesë e role, ku i duhej të priste spektatorët.

Kishte luajtur Lulashin e Anton Pashkut, Besnikun e Nexhat Mustafait, Hamidin e Kapitenin e Teki Dervishit, Mbretin Klaudi të Shakespeares, Milosin e F. Arrabal, Arganin e Molierit, Dikun e Hysen Matoshit, Ushtarin Hauptman të Resul Shabanit, Medvedevin e M. Gorkit, Eminencën Gri të N. Islamit, Koçin e K. Floqit, Mbretin Kreon të Sofokliut, Adhamudhin e Çajupit, Mishkinin e Dostojevskit, Laokoontin dhe Profesor Lakon e Ismail Kadaresë, Baba nga A. Mala, Burri në Pikturë nga K. Trebeshina, Kolonelin e T. Dervishit, Gentin e Sherif Delvinës, Macuo Bashon e E. Bondit, Hija e Mefistos të B. Musliut, Sekretarin e M. Peza, Rudolfo të Artur Milerit, Nuri budallë e A. Rusit, Dhëndërin e Zhorzh Fejdo, Majorin e E. Robles, Mbretin gungaç të G. Jetishit, Palin e Josif Relas, Sherifin e Shtajnbek, Princin Eraku dhe Binjaku siamez të Y. Shkrelit, Komisarin e R. Pavelkiçit, Dhaskalin e I. Breshan, Hoxhën e Xh. Ahmetit, Komandantin e A. Rusit, Hetuesin e S. Nuredinit, Kapitenin Alfredo të M. Shahiqit (komedi), Inspektorin “X” dhe mësuesin të A. Gashit, Kryeplakun e Zh. Çingos, Eminen cagri të N. Islamit, Grombach të R. Shelig, Paralajmëruesi të E. Ioneskos, Kryebashkiakun e Nikola Shop, etj. deri te “Skënderbeu” i Ethem Haxhiademit. Këtë bagazh artistik do ta kishte zili çdo aktor, por tani, ai e gjykonte se duhej të shkonte vetë te spektatori kudo që ishte, anë e kënd botës mbarë. Nuk ishte e lehtë një ndërmarrje e tillë, por ai kishte përvojë; kishte shkruar dramën “Anatema”, “Varrtarët”, “Muri i lotëve”, “Albaniada” (8), “Dodona”, dhe kishte vënë në skenë si regjisor mjaft autorë që nga Eskili e Lukiani e deri te Beketi, kishte luajtur në disa filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, kishte shkruar e botuar disa libra dhe nga ana tjetër, e njihte mirë shpirtin e madh të popullit të tij, bujarinë dhe atdhedashurinë.

Ndaj nisi të krijojë një vepër unikale të titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. E ka quajtur poemë dramatike, por realisht është kulmi i eposit tonë, janë ngjarjet më shkëlqimtare të historisë të drejtuara nga një burrë që mbartte gjithë vlerat dhe cilësitë më të larta të popullit tonë, vepra e të cilit ka tërhequr e vazhdon të tërheqë prej pesë shekujsh vëmendjen dhe simpatinë e politikanëve, strategëve e historianëve të botës mbarë. Ne krenohemi me heroizmin e asaj qëndrese kundër pushtuesve turq. Dhe do vazhdojmë të ndihemi krenarë për gjithësa bënë të parët tanë, dhe jo vetëm për ne, por edhe për qytetërimin evropian. Ndaj, duke parë se në kohën që po kalojmë, te ne, sikur ka një shkrehje të shpirtit atdhetar, shkaktuar nga qullësia e politikanëve, interesat e ngushta të tyre, qofshin të pushtetit, qofshin rrjedhojë e korrupsionit të tyre, hiletë prej skilesh të fqinjëve, qëndrimi shpesh diabolik i të huajve që hiqen sikur na duan të mirën dhe kanë marrë frenat në shtëpinë tonë, duke e quajtur folklorike dashurinë për Atdhe, dhe të dëmshëm si “nacionalizmin” tonë ashtu edhe teorinë e “Shqipërisë së Madhe”, Njeriu dhe Artisti i shquar Xhevat Limani që veç epiteteve të tjera, dikush e ka quajtur me të drejtë Lorenc Oliverin shqiptar, ngre skenë më skenë zërin e tij të fuqishëm duke u kujtuar se shqipëria ka Zot. Dhe zot të saj janë stërnipat e Heroit të pavdekshëm, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Nisur nga mbi 100 rolet e tij dhe mbi 700 shfaqjet e dhëna, por veçmas për këtë poemë dramatike, ai, fituesi i shumë çmimeve prestigjioze, dhe i cilësimeve mëse të merituara, është quajtur një misionar, një Promete i vetëm që çdokund shpërndan flakën e madhe të Shqiptarizmës. E takova sërish këtë artist në Prishtinë ku kisha shkuar i ftuar nga Instituti Albanologjik që nderonte mësuesin e tij dhe mikun tim Prof. dr. Nuhi Vinca me rastine 90 vjetorit të lindjes dhe më dhuroi dy libra; këtë poemën dramatike dhe “romanin” jetësor “Triumf...” I lexova pa e zgjatur dhe më mrekulloi ajo që kish kohë që nuk e shihja; kurajua për të folur pa drojë për çështjen kombëtare. Ja si shprehet ky autor: “ai që është shqiptar i lindur prej Nëne dhe Babe, jo prej sorre, por prej shkabe, duhet t`i mjaftojë që Heroi ynë ishte shqiptar”. Me “Skënderbeu” - n e tij, me muzikën rrëqethëse të A. Peçit, duke pasur në krah të bijën, sopranon Era Hoxha e cila ka vendin e vet në këtë shfaqje dhe kryezonjën - bashkëshorten Lule si menaxhuese, pra familjarisht, ai shkon në të katër anët, në mbi 50 shtete dhe ngjitet në një pafundësi skenash, kryesisht atje ku ndodhen shqiptarët, qofshin ata edhe të ikur qysh shekuj më parë. Pritet kudo me madhështi dhe ngre peshë zemrat e tyre. Shikuesit e shumtë brohorasin pareshtur “Skënderbeu është gjallë!” E përshëndesin atë edhe ata që nuk dinë shqip, pasi ndjenjat e sinqerta kanë çelsin e përbashkët të deshifrimit. Loja emocionuese aktoreske, i bën ata ta quajnë më shumë se artist, një misionar.

Një misionar nga ata që dr. Bexhet Asani (duke marrë vetëm njërin prej tyre), shprehet: “Ai me zërin e tij kumbues dhe hyjnor lë gjurmë të thella në artin, dramaturgjinë dhe kinematografinë shqiptare në veçanti dhe në atë botërore në përgjithësi… Më i madhi nga të gjithë të mëdhenjtë, më i miri nga të gjithë të mirët, sepse ai s`di të bëjë lajka e lajthitje, por aktron shqip e shqipërisht kudo, në Evropë, në Amerikë dhe kudo tjetër shkel këmba e këtij Anteu Titan Shqiptar. Ky emër i madh, nëse për struganët është mburrje, për shqiptarët është krenari”. Dhe ai nuk e ndrydh punën e tij atdhetare brenda tre faqeve të skenës; ai del në rrugë e në sheshe, hipën mbi kale si dikur Skënderbeu mbi Murzakun e tij dhe demonstron qyteteve tona lavdinë e së kaluarës. Joseph Conradi thosh se “Artisti është njeri i veprimit, nëse krijon një personalitet, shpik një mjet apo zbulon problemin e një situate të ndërlikuar”. Dhe Xhavit Lumani si intelektual dhe formim demokratik, pra duke u ndierë i lirë, si qytetarët e vendit ku jeton, nuk dridhet e spërdridhet me nënkuptime, por flet hapur e me zë të lartë edhe politikisht. Pasi demaskon krimet dhe synimet sllavo - ortodokse ndaj nesh, ai ulëret: “I ngrëntë një mortje politikuajtë shqiptarë, edhe ashtu të korruptuar, që nuk ngulën këmbë një herë Shqipërisht dhe t`ia përplasin Evropës dinake e kukudhe në fytyrë, hipokrizinë e saj qelbanike plot urrejtje ndaj kryevlerës së civilizimit, kombit shqiptar”. Dhe duhet ditur se ky korife i skenës tonë është ndeshur me pengesa nga më absurdet, qofshin dhe të natyrës burokratike, dhe gjithmonë ka dalë fitues mbi to. Pra, së bashku me të bijën e talentuar, me gruan që e mbështet dhe inspiron, me ndihmën e të gjithë atyre që në emër të atdhedashurisë e mallit të pashuar për vendin e tyre e kanë ndihmuar, ai ka triumfuar. Dhe jo vetëm ka triumfuar, por edhe ka dhënë shembullin për çdo artist, intelektual a njeri tjetër se ç`mund të bëjnë edhe kur shteti nuk u gjendet pranë. Për këto kontribute të jashtëzakonshme ai është fitues i disa çmimeve të mëdha, ku dallon Titulli “Kalorës i Urdhërit të skënderbeut”, akorduar nga Presidenti i republikës zoti Ilir Meta. Ja, ky është vigani Xhevat Limani, i barabarti me një institucion të tërë, energjik e të përgjegjshëm, njëkohësisht, ai burri i thjeshtë që njoha dikur nën hijen e një mani, atje në Fierishtë buzë liqenit të Ohrit, për të cilin nuk kam se ç`t`u shtoj fjalëve të një kolosi tjetër të skenës, Enver Petrovci i cili thotë: “Nuk ka artist shqiptar në faqe të dheut që flet shqip, në skenë dhe në jetë si Xhevat Limani!”

Argumentum.al