Basha thërret Kuvendin e PD më 18 dhjetor

Lulzim Basha mblodhi kryesinë e Partisë Demokratike për herë të parë pas zgjedhjes së saj dhe vendosi të mbledhë edhe njëherë Kuvendin Kombëtar, duke bërë një lëvizje taktike përballë Sali Berishës.

Pas debatit për firmat dhe kërkesës së Berishës për mbledhjen e Kuvendit, Basha ka kërkuar që Kuvendi të mbahet jo në 11 dhjetor, por në 18 dhjetor. Në fjalën e tij të zbardhur në mbledhjen e Kryesisë, Basha tha se Berisha kërkon ta përdorë PD si bunker për hallin e tij personal.

“Prej dy muajve Sali Berisha ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me PD, me të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie, me nevojën që kanë demokratët dhe shqiptarët për të parë PD të udhëheq vendin. Ka vendosur që një problem të tij personal me SHBA t’ia imponojë partisë si problem të PD”, është shprehur kreu i PD.

Basha ka shtuar se Berisha “mund t’i shpallë edhe luftë SHBA nëse dëshiron”, por brenda partisë nuk do të lejohet që të ketë struktura paralele.

“PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë”, është shprehur Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Kreu i PD tha se në mbështetje të Berishës kanë dalë dhe eksponentë të njohur në Partinë Socialiste dhe të botës së krimit që synojnë dëmtimin e opozitës dhe disa të tjerëve u intereson pasi mund të shpallen non grata.

“Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen ‘non grata’, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre”, është shprehur kreu i PD.

Në rendin e ditës, Basha përcakton se Kuvendi do të mblidhet për të marrë vendim mbi situatën politike për të mbrojtur interesin e PD, duke mos lejuar interesat personale të secilit anëtar. Miratimin e aksionit politik të PD dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci si dhe miratimin e programit organizativ të PD.