BE: Situata në Bosnje është shqetësuese

Bashkimi Evropian tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë paraqet “burim të madh shqetësimi”.

Duke folur të mërkurën para gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.

“Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë. Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano.

Deklarata e tij vjen në kohën kur udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës - entitet i banuar me shumicë serbe - nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Ai po ashtu ka thënë se serbët e Bosnjës mund të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe të rikrijojnë një forcë serbe.