Cila është e vërteta? Mediat britanike flasin për kamp refugjatësh në Shqipëri. Kryeministri Rama e mohon...

Britanikja “The Times”, në një artikull të saj ka shkruar se ministrat shqiptarë dhe ato të Mbretërisë së Bashkuar janë në bisedime sekrete për ngritjen e një qendre në Shqipëri ku do mblidhen refugjatët nga gjithë bota, të cilëve u mohohet kërkesa për azil, por nuk mund të kthehen në vendin e origjinës.

“Ministrat shpresojnë të nënshkruajnë një marrëveshje për dërgimin e emigrantëve, që kalojnë kanalin drejt Shqipërisë”, shkruan “The Times”.

Sipas saj, çdo emigrant që vjen ilegalisht në Britani nëpërmjet varkave të vogla, do të dërgohet në Shqipëri brenda 7 ditëve dhe kjo do të kushtojë 100 mijë paund çdo azilkërkues.

Tanimë, nga Shqipëria atyre do t’u vlerësohen kërkesat për azil në Britani. I gjithë procesi do të veprojë si një pengesë kundër kalimit.

“Pas një sërë zhgënjimesh gjatë bisedimeve me vendet e tjera për të pritur emigrantët, shpresat e kabinetit për një marrëveshje me Shqipërinë po rriten”.

Britania është përfshirë në një krizë, pavarësisht ardhjes së dimrit. Kjo sepse vetëm të enjten e kaluar, 1 mijë e 185 persona mbërritën atje me varka të vogla.

Burime brenda Qeverisë britanike, u shprehën për “The Times” se bisedimet me “Shqipërinë ishin në zhvillim”, prandaj edhe nuk dhanë shumë detaje.

Sipas “The Times”, edhe pse Olta Xhaçka, ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, e mohoi kategorikisht lajmin, zyrtarët shqiptarë në Londër nuk mohuan bisedimet jozyrtare me ministrat e tyre mbi planin.

Kjo është hera e dytë që media britanike flet për këtë temë dhe duket qarte se dikush po gënjen ose po fiton kohë deri në bërjen fakt të kampit pavarësisht në çfarë formë do të jetë ai.

Megjithatë Kryeministri Rama, ka mohuar se Shqipëria do t’i pranojë azilkërkuesit nga vendet tjera, përgjatë kohës që Mbretëria e Bashkuar ka thënë se po shqyrton të arrijë një marrëveshje për t’i kaluar ata në Shqipëri.

“Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë”, tha Rama të enjten, më 18 nëntor, teksa u pyet nga gazetarët për shkrimet e mediave britanike për mundësinë e krijimit të një kampi në Shqipëri, ku mund të strehoheshin azilkërkues që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.

Zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab, ka thënë se qeveria po gjen mënyra për t’i nxjerrë jashtë Britanisë së Madhe azilkërkuesit.

Në një intervistë për Sky News, Raab u pyet nëse njerëzit që kërkonin azil në Mbretërinë e Bashkuar do të dërgoheshin me avion në Shqipëri, dhe ai tha se Shqipëria është një nga opsionet që i kanë.

Sipas BBC-së, më shumë se 23,000 njerëz kanë bërë kalimin nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar me varkë deri tash këtë vit, një rritje e theksuar nga 8,404 më 2020 - dhe shumë më tepër se në vitet para pandemisë, kur shumica e azilkërkuesve mbërritën me avion, traget ose tren.

Kohët e fundit, numri i migrantëve që kalojnë Kanalin nga Franca drejt Britanisë së Madhe ka arritur në mbi 1000 në ditë, sipas BBC-së.

Po ashtu Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko në një interviste për gazetën “The Indipendent” ka mohuar që të ketë negociata mes dy vendeve për ngritjen e kampeve për azilkërkuesit në Shqipëri.

Qirjo i ka thënë “The Indipendent”se planet të tilla “nuk do të realizohen” dhe “nuk kanë për t’u realizuar kurrë” pasi do të ishte “kundër ligjeve ndërkombëtare” dhe “totalisht kundër” pozicionimit të Shqipërisë.

Sekretari për Drejtësinë në Britani, Dominic Raab të mërkurën e nuk e mohoi faktin se po shpresohet për arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë për të dërguar atje emigrantët që po u shqyrtohet kërkesa për azil.

Pavarësisht zërave mohues të këtij lajmi, duhet thënë se sa here kemi të bëjmë me marrëveshje të tilla, janë mediat e huaja ata që i zbardhin këto bisedime. Hera e fundit kishte të bënte me ardhjen e refugjatëve afgane. Ishte pikërisht Reuters me titullin “ SHBA bisedime sekrete me Shqipërinë e Kosovën për të strehuar mijëra afganë” që informoi publikun për ardhjen e  afganëve në Shqipëri siç do ndodhte pak ditë pas këtij lajmi.

Ndoshta qeveria shqiptare ka zgjedhur këtë formë mediatizimi ndërkombëtar për të informuar qytetarët e tij në lidhje me marrëveshje kaq të rendësishme duke e bërë fakt të kryer në mungese totale të trasnparencës.

/Argumentum.al