Dhoma Amerikane për paketën fiskale: Shkelje flagrante me konsultimet publike, kërkohet ligj i ri për taksat

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë shtyrjen e afatit të konsultimeve për ndryshimet në paketën fiskale 2022.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi dhe Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, Enio Jaço shpreh zhgënjimin e Dhomës për shkeljet e përsëritura, flagrante ligjore në procesin e konsultimit publik si dhe ndërhyrjet e shpeshta në paketën fiskale kur qeveria është zotuar publikisht për mos ndryshime të shpeshta të saj.

Jaço nënvizon rëndësinë e një ligji të ri për tatimet si kërkesë e komunitetit ndërkombëtar të biznesit.

“Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë”, thuhet në letër.

Jaço ka shprehur kritika edhe në deklarata të mëparshme se legjislacioni aktual i tatimeve është i prapambetur, duke kërkuar modernizimin e tij.

Dhoma Amerikane shprehu shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjit, duke theksuar thyerjen e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet si edhe shkeljen e përsëritur e afateve të ligjit mbi konsultimin publik.

Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjit, duke i lënë mundësi “grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij”.