Evropa po i kthehet vetes

Boshko Jakshiç,[i]

Qarku populist po ngushtohet dhe  nuk  po zgjerohet, sikurse flisnin parashikimet e errëta. Demokracia po kundërvepron. Për gëzimin e shumë zgjedhësve në Hungari dhe në Poloni që duan të qëndrojnë në BE.

Gabimi nuk ishte se ngjarjet e vitit 1989 në Europë u festuan si triumf i lirisë dhe i demokracisë. Gabimi qëndronte në faktin se ato u konsideruan si “fundi i historisë” dhe se rendi i ri i sapovendosur nuk do të mund të kërcënohej më nga asgjë. Tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit, demokracia e bazuar në traditën e vlerave liberale gjendej në rrezik. Të rinjtë e Europës Qendrore, të cilët dikur ishin pishtarë të lirisë, u shndërruan në autokratë mesjetarë, nacionalistë dhe populistë agresivë, të cilëve kriza e migrantëve e vitit 2015 dhe telashet ekonomike u dhanë krahë dhe i bindën se tashmë duhej përkujdesur vetëm për sovranitetin e vendit të tyre.

Në mënyrë që të shpëtonin nga “despotët e Brukselit” dhe “estabilishmenti elitar” në vendet ku fituan pushtetin, ia filluan të shkatërrojnë institucionet, gjykatat e pavarura dhe mediat e lira, duke groposur kësisoj traditat liberale të ndërtuara me aq mund përgjatë historisë. Nga Hungaria, Polonia, Republika Çeke e deri te Sllovakia, dolën në skenë liderë që dikur ishin gjithçka: socialistë, reformistë liberalë, spiunë të shërbimeve sekrete, radikalë ultranacionalistë. Kryeministri hungarez Viktor Orban është shumë krenar që është ideator i “Europës joliberale” si antipod i demokracisë liberale. Në Poloni Partia e ligjit dhe e drejtësisë e Jarosllav Kaçinskit bën me shumë entuziazëm politikë djathtiste, kleronacionaliste dhe ultranacionaliste.  Në Sllovaki, kryeministri Robert Fico, nëpërmjet një agjende antimigratore dhe social-konservatore, ndoqi shembujt e fqinjëve deri sa u tërhoq nga posti në vitin 2018. Në Republikën Çeke, dueti i presidentit Millosh Zeman, i cili i quan gazetarët “idjotë” dhe kryeministri miljarder Andrej Babish, i etiketuar edhe si “Trampi çek”, kanë hedhur në qarkullim një përzierje kaustike të populizmit, rezistencës ndaj imigracionit dhe “euroskepticizmit proeuropian”.

U shfaqën parashikime apokaliptike mbi demokracinë në vdekje e sipër dhe ardhjen e epokës së diktatorëve. Por, doli se konkluzioni mbi rrugën nga drita te errësira për vetëm tri dekada, ishte disi i thjeshtëzuar e kësisoj edhe dritëshkurtër. Kërcënohej se do të përsëritej gabimi i para 30 viteve: që ngritja e autoritarizmit antiliberal të shpallej si konstante për të ardhmen që po vinte.

Por nuk ka për të qënë kështu! Rezistenca po rritet. Demokracia është shpesh kaotike, e paparashikueshme, e brishtë dhe gjithsesi jo e përkryer. Njerëzit, sipas rregullit, janë kritikë ndaj versionit të demokracisë që kanë, por më shumë e vlerësojnë  ata që e kanë pasur dhe e kanë humbur, ata që ballafaqohen me rrezikun se mos e humbasin ose ata që edhe më parë nuk e kanë patur.

Pushtetmbajtësit po përballen me zgjedhësit, të cilët, nëpërmjet votave apo protestave të rrugës, u japin atyre mesazhin se ekzistojnë kufinj dhe se ata nuk munden të jenë më të mëdhenj sesa shteti. Aksioni shkakton kundëraksionin, ky është ligj i fizikës që ka vlerë edhe në botën e politikës.

Në Hungari, të vetmit antar të BE-së të cilit “Fridom Haus” në vitin 2018, ia uli statusin në “shtet pjesërisht të lirë”, qeveria e humbi pushtetin para dy vitesh në Budapest dhe në dhjetë qytete të tjerë në mbarë vendin. Në Poloni, partia në pushtet, ia doli mbanë në zgjedhjet e fundit parlament -madje edhe e forcoi pozitën e saj-por aktualisht po përballet me humbjen e shumicës në Senat ndërsa në zgjedhjet lokale ka humbur Varshavën dhe disa qytete të tjera të mëdha.

Në Sllovaki, protestat masive për shkak të vrasjes së një gazetari që hetonte korrupsionin në vitin 2018, rrëzuan populistin Fico. Në Pragë para dy vitesh 250.000 njerëz protestuan kundër presidentit Zeman dhe kryeministrit Babish, i cili propozoi heqjen e Parlamentit Europian si “institucion plotësisht të padobishëm”.

Kryebashkiakët rrallëherë formojnë aleanca ndërkombëtare politike, por qytetarët e Bratisllavës, Budapestit, Pragës dhe Varshavës  po në vitin 2019 formuan Aleancën e qyteteve të lira me synim “promovimin e vlerave tona të përbashkëta të lirisë, dinjitetit njerzor, barazisë, drejtësisë sociale, tolerancës dhe larmisë kulturologjike”.

Edhe në në zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani doli se predispozicioni i zgjerdhësve filloi t’ua kthejë shpinën konservatorëve. Kryeministri sllovak Janeza Jansha, antari i kooptuar i boshtit Oreban-Kaçinski, ka probleme dhe rejtingu i tij po bie dita ditës. Partia hungareze në pushtet Fides në zgjedhjet e ardhshme shumë lehtë munmd të dalë në opozitë pas 11 viteve.

Pikërisht një gjë e tillë ndodhi me kryeëministrin çek Babish, një prej atyre që u gjendën në “letrat e Pandorës”. Meqënëse e akuzonin se po u vidhte demokracinë e  ndëshkuan në zgjedhje. Presidenti Zeman përfundoi në spital nga mërzia.

Populistët duken se po e humbasin mbështetjen, diku vazhdojnë të jenë ende në pushtet, por të lëkundur thellë, diku tjetër, si në Çeki përshembull, kanë humbur duke u përcjellë mesazhe djathtistëve në vendet përreth se shumë shpejt mund të kenë fatin e tyre.

Qarku populist po ngushtohet dhe  nuk  po zgjerohet, sikurse flisnin parashikimet e errëta. Demokracia po kundërvepron. Për gëzimin e shumë zgjedhësve në Hungari dhe në Poloni që duan të qëndrojnë në BE.

Brukseli paralajmëron se nuk do të sillet me dhëmbshuri ndaj pushtetit në Budapest dhe në Varshavë që kërcënojnë vlerat themeltare mbi të cilat është formuar Europa. Rasti i i fundit i një përballje të tillë ishte Polonia, ku gjykata vlerësoi se disa ligje të Bashkimit Europian nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Orbani e mbështeti menjëherë këtë vendim dhe i bëri thirrje BE-së që të “respektojë sovranitetin  e antarëve të tij”.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula fon der Lajen është shprehur “thellësisht e shqetësuar”, ndërsa shefi i diplomnacisë së Luksemburgut Zhan Aselborn ishte më konkret në këtë rast. “Duhet ta themi qartazi se qeveria në Poloni po luan me zjarrin. Nëse ky parim nuk zbatohet, atëherë Europa e tillë siç e njohim ne, do të pushojë së ekzistuari”.

Dihet mirë se në Bruksel po përgatiten përgjigje konkrete kundër kësaj dysheje europianoqendrore me të cilën ka konflikte për një sërë çështjesh: pavarësinë e gjykatave, migracionin, liritë mediatike, të drejtat e bashkësive LGBT...

Po vërtetohet se zgjedhësit në Europën Qendrore, të cilët patën votuar me dëshirë  për nacionalistët teksa shpenzonin paratë e Brukselit, kanë filluar të ndryshojnë qëndrim të ballafaquar me mundësinë që fondet europiane të shterrojnë si ndëshkim  për autokratët.

Dallga populiste e ka arritur zenitin e vet. Europa po i kthehet vetes.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/489769/Evropa-se-vraca-sebi