Gjermania dhe WBIF mbështesin përmirësimin e konvikteve të studentëve të Qytetit Studenti me një investim prej 26 milionë eurosh

Ambasada e RFGJ në Tiranë: Gjermania dhe Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor mbështesin me 26 milionë euro përmirësimin e kushteve në konviktet e Qytetit Studenti me një investim prej 26 milionë eurosh.

Një marrëveshje e nënshkruar të mërkurën (03.11) në Tiranë nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Brit Horschke, Drejtorja e Zyrës së KfW (Kreditanstalt fűr Wiederufbau / Banka Gjermane për Zhvillim) hap rrugën për zbatimin e projektit ,”Reabilitimi i konvikteve të qytetit Studenti sipas parimit të Eficencës së energjisë”.

Në koston e realizimit të këtij projekti përfshihen 6 milionë euro, nga të cilat 21 milionë janë lëvruar nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW ndërsa pjesa tjetër prej 4.78 milionë eurosh jepet nga Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor, (KIBP)

Njoftimi për shtyp thekson, se financimeve të sipërpërmendura u shtohet edhe një  grant prej 9.4 milionë euro të dhëna përsëri nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW.

Projekti përfshin ndërtimin e të paktën tri godinave të reja dhe rehabilitimin e 19 godinave egzistuese në Qytetin Studenti, sipas parimit të eficencës së energjisë.

Konsum energjie dhe Prioritet studentët me të ardhura të ulëta

Projekti synon të reduktojë konsumin e energjisë elektrike me 20 përqind në 19 godinat e konvikteve të studentëve, që do të reabilitohen, krahasuar me nivelin e tanishëm të konsumit. Tri godinat e reja do të jenë ndërtime që sigurojnë konsumin e pakët të energjisë.

Projekti ka edhe një synim tjetër: të promovojë infrastrukturën sociale për studentët e paprivilegjuar duke siguruar që 70 përqind e kapacitetit të konvikteve të rehabilituara të përdoren nga studentë me të ardhura më të ulëta se 108 euro në muaj.

Gjermania një miliardë euro për transformimin e Shqipërisë

Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, financon marrëveshjet e bashkëpunimit financiar mes Gjermanisë dhe  Shqipërisë duke siguruar grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence për projekte të ndryshme.

Mbështetja e saj për transformimin ekonomiko-social të Shqipërisë nisi 33 vjet më parë, në vitin 1988, në prag të rënies së regjimit komunist.

Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej mbi 1 milliardë euro për projekte dhe programe zhvillimi, thekson njoftimi për shtyp.

Sektori i energjisë është një nga sektorët kyç të bashkëpunimit financiar Gjermani - Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 501 milionë euro, që nga viti 1988.

Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (KIBP) është një skemë financimi e Komisionit Europian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, Bankës Europine të Investimeve, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e donotarëve bilateralë dhe vendeve të BP. Ky kuadër ofron mbështetje financiare për projekte investimesh strategjike në vendet përfituese të rajonit.

KfW dhe Banka Botërore i janë bashkuar KIBP dhe në dhjetor 2018 iu bashkua edhe Agjencia Franceze për Zhvillim.