Krimi makabër në Fier trondit vendin/ Fqinji rrëmben dhe vret një fëmijë 8-vjeç

Një ngjarje makabre ka ndodhur në fshatin Greçalli të Fierit, aty ku një fëmijë 8-vjeçar është rrëmbyer nga fqinji dhe është groposur në oborrin e shtëpisë së tij, ndërkohë që familja po e kërkonte djalin e vogël se kishte orë që nuk përgjigjej.

38-vjeçari Klodian Çalamani rrëmbeu paraditën e sotme 8-vjeçarin i cili po bënte xhiro para oborrit të shtëpisë së tij, dhe sipas Policisë, pasi e mbajti peng e ka vrarë , duke e mbuluar me baltë.

”Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K.Ç, 38-vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë”,-thuhet në njoftimin e Policisë.

Ai është ndaluar edhe më herët pasi ka marrë peng një të mitur. Fëmija është denoncuar i zhdukur rreth orës 15:30.

Njoftimi nga Policia

Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motive të saj.