Kryeministri i Holandës, Rutte: Shqipëria progres të madh 5 vitet e fundit, të mbahet Konferenca Ndërqeveritare

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi sot se, Shqipëria ka bërë përparim në shumë çështje dhe shpreson në mbajtjen sa më parë të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Në një konferencë të përbashkët për mediet me homologun Edi Rama pas takimit në Kryeministri, Rutte, u shpreh se, “jam kaq i lumtur që kemi qenë në gjendje që të hedhim hapin e parë në procesin e anëtarësimit në BE. Po, është e drejtë që për të nisur zyrtarisht Konferencën e Parë Ndërqeveritare, është thelbësore që të zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë. Shpresoj që ta bëjnë këtë gjë. Do të kenë zgjedhje të dielën. Shpresoj fort që do ta bëjnë këtë gjë. Do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut më vonë”.

“Ju keni bërë kaq shumë përparim në kaq shumë çështje dhe kjo është arsyeja pse ne biem dakord tashmë që të fillojmë zyrtarisht këto negociata, sepse tashmë për të qenë të drejtë dhe rigorozë, është bërë progresi i duhur”, tha Rutte.

“Kemi folur se çfarë duhet bërë në raport me universitetet, në raport me sektorin e bujqësisë, mundësi të tjera, eksportet, në mënyrë që të mos jetë një “Po” ose “Jo” në kuptimin e anëtarësimit të plotë ose asgjë, por të ketë diçka midis, gjatë rrugës që ecim përpara. Besoj që duhet të punojmë për këtë”, tha Rutte.

“Jam shumë i lumtur edhe për faktin që të dyja vendet tona, po zhvillojnë lidhjet dypalëshe në një mënyrë mjaft të thellë dhe mjaft të kënaqshme. Pra ne bashkëpunojmë ekonomikisht me investimet, me eksportet. Së paku gjysma, thuajse gjysma e eksporteve të vendit shkojnë drejt vendeve të BE-së dhe ndërkohë Holanda është investuesi më i madh në Shqipëri. Dhe ju siguroj që këto kompani po punojnë që të bëjnë edhe më shumë biznes në këtë vend”, theksoi Rutte.

“Në fakt, nuk punojmë së bashku vetëm ekonomikisht. Ne punojmë po kështu edhe në raport me arkitektët. Arkitektët që janë përfshirë këtu në Shqipëri, në Tiranë”, tha Rutte.

“Ne vazhdojmë të takohemi, jemi takuar në Samitin e NATO-s, në Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe sërish u takuam të hënën e shkuar në COP26 në Glasgou. Po, le të vazhdojmë të punojmë kështu, të takohemi, të ndërtojmë këtë miqësi, ta bëjmë shumë praktike dhe besoj që ne të dy jemi njerëz shumë praktik. Sepse ka objektiva më afatgjatë, po punojmë për këtë, po i mbështesim ato. Por le të sigurohemi ndërkohë që disa nga ato përfitime të perspektivës afatgjatë të jenë të pranishme edhe në periudhën afatshkurtër, po sidomos të shpresojmë tashmë  që të kemi sukses, pas zgjedhjeve të së dielës në Bullgari, të sigurohemi që së paku të dy Konferencat Ndërqeveritare të nisin”, tha Rutte.

I pyetur se çfarë reformash ka bërë Shqipëria për të luftuar krimin e organizuar në këto tre muaj pas zgjedhjeve që nuk e bëri tre vite më parë, ku vit pas viti Holanda vendosi veton që të mos hapen negociatat, Rutte tha se “kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë këto dy vjet në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe atë të policisë. E kemi diskutuar edhe në takimin tonë dypalësh sot për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo ka ndërtuar besim, por gjithashtu dhe fakti që të qenit rigoroz dhe i drejtë ne i shohim gjithmonë raportet e Komisionit Evropian se ku Shqipëria qëndronte në reformën e saj për pavarësinë e drejtësisë, për Vetingun e gjyqtarëve shqiptarë dhe në termat e luftës kundër krimit të organizuar”.

VD-'O, ku je?'/ Rama pret homologun holandez me krahë hapur, gjesti që bën  kur del – Dosja AL

Ai deklaroi se progresi që është arritur në këto 5 vitet e fundit nga Shqipëria ka qenë kaq i madh.

“Të gjithëve na duhet të bëjmë shumë punë, edhe vendi im, por gjithashtu edhe Shqipërisë do t’i duhet të bëjë më shumë gjatë viteve që vijnë, por progresi që është arritur në këto 5 vitet e fundit ka qenë kaq i madh, po të themi në kuptimin që na bëri ne të themi ‘Po’. Më duhet ta them se jemi sprapsur për kaq kohë të gjatë për t’u thënë ‘Jo’ këtyre bisedimeve të anëtarësimi, kjo natyrisht nuk është thjesht çështje e krimit të organizuar por gjithashtu e sundimit të ligjit të ekonomisë dhe sesi konvergojmë në punë tonë së bashku në këtë pjesë të Ballkani Perëndimor me BE. Ideja është se ne duam që ky rajon të ketë perspektivë BE për shumë arsye, sepse jemi miq, sepse jemi fqinj, po kështu sepse të tjerë mund të përfitojnë të kenë influencë në këtë rajon që ne nuk e duam. Pra ka arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike për ta bërë një gjë të tillë. Por dhe thjesht pranimi i faktit se nën udhëheqjen e Edi Ramës janë ndërmarrë kaq shumë hapa”, tha kryeministri i Holandës.