Kryeministri malazez në Serbi: Më pak politikë, më shumë ekonomi

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, tha të mërkurën në Beograd se me udhëheqësit e Serbisë më së paku ka biseduar për çështje politike, duke u përqendruar në aspektet ekonomike dhe bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës së parë në Beograd, që kur mori detyrën e shefit të qeverisë malazeze, në një periudhë marrëdhëniesh të vështira me Serbinë.

Kryeministri malazez tha se shpreson që vizita e tij e parë do të jetë shenjë e mirë për rrugën e re “të përparimit në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Më së paku i kushtuam vëmendje politikës, ndërsa më shumë asaj që është thelbi i bashkëpunimit të mirë – ekonomisë dhe vendosjes së lidhjeve të mira ndërmjet qytetarëve dhe shteteve”, tha ai.

Por, ai shmangu komentet rreth mospajtimeve ndërmjet të dyja vendeve dhe akuzave që i janë bërë Beogradit për ndërhyrje në punët e brendshme të Podgoricës, të cilën Serbia e akuzon edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dy ditë më parë, një nga udhëheqësit e partisë më të madhe në koalicionin qeverisës në Mal të Zi, Andrija Mandiç, nga Fronti Demokratik proserb, tha se forca e tij politike ka hedhur nismën për formimin e qeverisë së re.

Kryeministri Krivokapiç, tha të mërkurën se “nuk i pranon shantazhet” dhe se shteti nuk është lojë, ndërsa për ndryshimin e qeverisë, duhen votat e të paktën 41 deputetëve në parlamentin malazez.

Një ditë më parë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, tha se “për të zgjedhur qeverinë e re, dikush duhet të rrëzojë të qeverinë aktuale”.

Mali i Zi u pavarësua nga Serbia në vitin 2006 por kisha e tij nuk u bë autonome dhe mbeti nën Kishën Ortodokse Serbe, që për shumëkënd është një simbol i ndikimit serb.

Çështja e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe ka shkaktuar tensione të shumta gjatë viteve të fundit në Mal të Zi dhe në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Ligji për Liritë fetare, i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokrate e Socialistëve e presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kërkonte nga Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë për pronat përgjatë viteve të kaluara.

Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020 e ndryshoi Ligjin duke ia njohur të drejtën e pronës kishës serbe, e cila selinë e ka në Beograd.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, fitorja e forcave proserbe në zgjedhjet e vitit 2020 ka shtuar shqetësimet për orientimin e vendit të vogël buzë Adriatikut./voa