Kryeministri Rama: Reduktim i disa taksave në buxhetin 2022, rritje pagash për mjekët, infermierët e mësuesit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se në buxhetin 2022 nuk rritet asnjë taksë, ndërsa sigurohet rritja e pagave në disa sektorë.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit për vitin 2022, Rama tha se “në buxhetin 2022 zerojmë taksën mbi pagat deri në 40 mijë lekë, masë nga e cila përfitojnë 87 604 punonjës”.

“Shtohet numri i atyre që deri sot kanë pagën minimale 30 mijë lekë dhe nuk paguajnë taksë mbi pagën. Përgjysmojmë taksën mbi pagat nga 40-50 mijë lekë. Thuajse përgjysmojmë taksën mbi pagën 1.5-2 milionë lekë”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se buxheti 2022 garanton rritje page në disa sektorë.

“Rrisim rrogat me 6 % për mjekët, infermierët e mësuesit me ambicien që të shkojmë 40 % deri në fund të mandatit. Rrisim pagat me 150 % për punonjësit e Policisë që shërbejnë larg vendbanimit. Rrisim me 30 % pagat e FA”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se në buxhet nuk rritet asnjë taksë dhe dyfishohet ndihma ekonomike për 15 mijë familje me mbi 3 fëmijë. Po ashtu, Rama shtoi se në vitin 2022
rrisim me 10 % ndihmën ekonomike për pjesën tjetër të familjeve.

“Ligjërojmë pagën prej 30 mijë lekësh në muaj për naftëtarët e Fierit për vitin 2022, ndërsa kërkojmë zgjidhje përfundimtare për Rafinerinë e Fierit”, tha Rama.

Kryeministrit theksoi po ashtu se janë 2.6 miliardë lekë financim për indeksimin e mëtejshëm të pensioneve dhe 36 milionë dollarë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Rama tha se në buxhet parashikohen 111 milionë dollarë për rimbursimin e barnave, prej të cilave përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Ndërkohë për vaksinimin, sipas tij, parashikohet 2.7 miliardë lekë.

Rama, tha po ashtu se, për herë të parë në buxhet fillohet edhe me mbështetjen për programet kombëtare të arteve dhe zejeve, ku hyjnë teknologjia dhe sportet, me një financim të posaçëm në buxhet.