Meta pjesë e “Trekëndëshit të Bermudës”/ Presidenca reagon për deklaratat e Bashës: Keqardhje, që përfshin Presidentin në krizat që ai vetë i shpik,

Presidenca ka reaguar mbi akuzat e hedhura nga Lulzim Basha ndaj presidentit Ilir Meta. Me një reagim në Facebook zëdhënësi Tedi Blushi e ka konsideruar keqardhje përfshirjen e presidentit Ilir Meta në akuzat e tij me “Trekëndëshin e Bermudës”  duke i rikujtuar atij bojkotin e reformës administrative-territoriale, të reformës në drejtësi, djegia e mandateve të deputetëve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor;

Ai shkruan se Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.

 

 

Gjatë një interviste ditën e sotme Lulzim Basha është shprehur se një karusel që vërtitet, janë të njëjtët oligarkë, të njëjtët kriminelë që përfitojnë, është i njëjti popull dhe se beteja e Partisë Demokratike është pikërisht me këtë trekëndësh të pushtetit të korruptuar, të krimit të organizuar, të oligarkisë.

Sipas tij çdokush që është për interesat e veta personale, cilado qoftë zanafilla e këtyre interesave personale, shpallja non grata apo çfarëdo interesi tjetër që nuk rreshtohet me shqiptarët kundër këtyre tre fenomeneve, patjetër që është në vetvete një trekëndësh problematik për shqiptarët, një trekëndësh Bermude dhe përballë do të jetë jo vetëm Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, po do të ketë Partinë Demokratike dhe gjithë këto forca shoqërore, të cilat sot më shumë se kurrë, e kanë kuptuar që ka patur pakte të hapura dhe të fshehta për të ruajtur këtë status quo tashmë 30 vjeçare.

Argumentum.al