"Open Balkan", Kina dhe Turqia/ Kryeministri Rama flet për France24,

Në një intervistë për televizionin francez, France24, kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet me Kinën duke thënë se nuk ka asgjë sa i përket investimeve apo ndihmës kineze. Për Turqinë, thotë se është partner strategjik i Shqipërisë.

I pyetur nëse Turqia ka sjellë ndikim për çështjen e islamizmit duke sjellë model mysliman, Rama tha prej 30 vitesh, vetëm një xhami është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk në vendin tonë.

Gazetarja: Ju pritët në Tiranë ministrin e Jashtëm kinez. Për çfarë ka realisht nevojë vendi juaj të ndihmohet nga Kina? Në përgjithësi, a është kjo në përputhje edhe me marrëdhëniet tuaja shumë të mira me Shtetet e Bashkuar dhe Turqinë e Recep Tayyip Erdogan? Shihet qartë se ka një interes të madh për të gjitha këto fuqi në rajonin tuaj, në Ballkan dhe në vendin tuaj.

Kryeministri Edi Rama: Jo, në kornizën e bashkëpunimit të Kinës me të ashtuquajturin grup të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, pra vendet ish-komuniste, formati 17 + 1, Shqipëria nuk ka marrë thuajse asgjë. Do të thotë se kemi marrëdhënie të mira, por për sa i përket pranisë së investimeve, apo ndihmës kineze nuk ka asgjë të veçantë për t’u theksuar. Ndërkohë që Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë, ashtu si Greqia dhe Italia.

Është një trekëndësh shumë I rëndësishëm historikisht dhe tradicionalisht. Janë popuj, vende mike dhe për mendimin tim, personalisht, Turqia nuk ka një strategji në Ballkan që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Gazetarja: As për islamizmin, për çështjen e Islamit dhe modelin e tij pikërisht mysliman?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asgjë në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë fjalë dhe kam lexuar shumë shkrime që thonë se xhamitë po lulëzojnë në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë, por ju them se që prej 30 vjetësh, vetëm një xhami, një xhami e bukur, është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk. Vetëm një.

Gazetarja: Edi Rama një pyetje për praninë në vendin tuaj të refugjatëve afganë që ikin nga talebanët. Ata mbërrijnë me pikatore në Bashkimin Evropian.Pritja e tyre është një temë delikate, sepse ata përbëjnë një kontigjent të madh azilkërkuesish, i dyti pas sirianëve.Shihet qartë se Evropa heziton të presë më shumë, ndërkohë që ju keni hapur kufijtë tuaj për të ofruar një qëndrim tranzit para se të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, në Kanada.A mendoni se Europa në veçanti nuk po bën sot mjaftueshëm bashkarisht?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam askushi për të gjykuar të tjerët dhe mund të flas vetëm për Shqipërinë, i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se në fillim të saj, pikërisht sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut e ndaj hebrenjtë mbroheshin nga shqiptarët dhe nuk ka asnjë rast të vetëm që është raportuar te nazistët.

Është një vend që përpara 30 vjetësh u detyrua të kalonte të njëjtën përvojë si afganët duke u larguar nga ferri që nuk bazohej në fondamentalizmin islamik, por bazohej në ateizmin më të kulluar dhe më të egër të një regjimi të vrazhdë komunist. Dhe u larguam, trokitëm në dyer të tjera e ja, së fundmi ky është një vend i NATO-s, prandaj e shoh absolutisht të natyrshme që vendet e NATO-s, pasi vendosen të largohen nga Afganistani, duhet të hapnin dyert, jo për të gjithë afganët që nuk janë të kënaqur me kthimin e talebanëve, por për afganët, burrat dhe grate që kanë qenë atje për ne, kanë punuar me ne, që besuan në atë që thamë dhe në atë që ne jemi si aleanca e vendeve moderne, demokratike e me rradhe, dhe të cilët dolën hapur në vijën e parë të ndryshimit në Afganistan.Pra, si mundet që vendet e NATO-s të kthejnë shpinën dhe të thonë ne po ikim dhe ju rrini këtu e prisni që të vijnë talebanët dhe t’ju vrasin ose ju torturojnë, t’ju presin duart ose kokën, sepse keni qenë bashkëpunëtorët tanë!

Gazetarja: Një pyetje e shpejtë për bashkëpunimin tuaj rajonal. Ballkani ishte për një kohë të gjatë fuçi baruti, ai ishte vendi ku ka patur një luftë të përgjakshme pikërisht mes anëtarëve të ish-Jugosllavisë.Ju realisht keni bërë thirrje për një Ballkan të hapur, një mini-shengen për të lehtësuar lëvizjen e mallrave midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, heqjen e kufijve prej vitit 2023.Por tre vendet e tjera të Ballkanit nuk mund të bashkohen për shkak të këtyre tensioneve etnike mes myslimanëve dhe të krishterëve….

Kryeministri Edi Rama: Së pari, në nismën “Ballkani i Hapur” dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte, por ideja është të mos mbetemi viktimë e vetos së dikujt, një apo një tjetri, që nuk duan atë apo atë. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme për njerëzit, për rajonin.

A është një proces i vështirë? Po, është shumë i vështirë.Nuk është i lehtë, sepse në të njëjtën kohë është një proces paqeje.

Ne ende nuk kemi paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t’u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, sovran dhe që duhet të njihet nga Serbia.

Por në të njëjtën kohë ka mësime për t’u nxjerrë nga historia. Le të citojmë, meqë po flasim frëngjisht, Francën, që na jep një shembull të jashtëzakonshëm.

Ajo që bëri Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore është rruga.