Papa Françesku emëron Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvin e ri të Arqidioqezes Metropolitane Tiranë-Durrës

Papa Françesku ka emëruar Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvin e ri të Arqidioqezes Metropolitane Tirane Durrës. Arjan Dodaj zë vendin e Arqipeshkvit George Frendo i cili mbante këtë post para këtij emërimi.

Ky emërim u komunikua nga Nunci Apostolik në Tiranë , nga Katedralja e Shën Palit, Tiranë. Data e pёrurimit a fillimit tё misionit tё kryeipeshkvit tё ri tё emёruar imzot Arjan Dodaj nё Kishёn kryedioqezane tё Tiranё-Durrёsit do tё jetё tё shtunën mё 22 janar 2022.

Kujtojme se në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të shugurimit ipeshkev të Mons. George Frendo, ai do të lajmëronte dorëheqjen  e tij. “Në prillin e kaluar unë kam mbushur 75 vjeç, dhe sipas normave të Kishës, me të arritur atë moshë duhet t’i dorëzojmë Atit të Shenjtë dorëheqjen tonë nga detyra e ipeshkvit dioqezan”, tha Mons. Frendo para besimtareve në Katedralen e Shën Palit.

Kush është Imzot Arjan Dodaj?

Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i ri të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, deri më sot, ishte  ipeshkëv ndihmës i kësaj kryedioqeze metropolitane, emëruar nga Papa Françesku më 9 prill 2020, shuguruar ipeshkёv nga imzot George Frendo mё 15 shtator 2020, në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranё. Imzot Dodaj është kryeipeshkvi i tretë i Tiranë-Durrësit në periudhën pas rënies së komunizmit, pasardhës i imzot Rrok Mirditës dhe i imzot George Frendos.

Kryeipeshkvi i ri, imzot Arjan Dodaj, rregulltar  i ‘Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit’lindi në Laç të Kurbinit më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi përfundoi shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë. Më 2007 kërkoi të pranohej në ‘Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit’, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në kryedioqezën e Romës, si anëtar i ‘Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit’, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvendës-famullitar në Famullinë  “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë  së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2017, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmbës të Shenjtërisë së Tij për kryedioqezёn e Romës, u transferua si meshtar "fidei donum" në kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Vikar i përgjithshëm, Famullitar i famullisë  “Zemra e Papërlyer e Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan tё Tiranёs-Durrёsit.

Argumentum.al