Partitë çeke arrijnë marrëveshje për koalicionin qeverisës

Pesë parti çeke nënshkruan të hënën marrëveshje për formimin e qeverisë së koalicionit, duke u zotuar se do ta bashkërendojnë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Me marrëveshjen e re, Petr Fiala, 57 vjeç, nga Partia Demokratike Qytetare, pritet të jetë kryeministër i ri.

Zgjedhjet parlamentare në Çeki janë mbajtur më 8 dhe 9 tetor.

Partia e Fialës së bashku me Kristian-Demokratët, Partinë TOP-09, Partinë Pirate dhe STAN kanë fituar 108 vende në Dhomën e Ulët të Parlamentit, e cila ka gjithsej 200 ulëse.

Marrëveshja e koalicionit prej 42 faqesh përshkruan detyrat e menjëhershme të Qeverisë së re, përfshirë adresimin e rritjes së infeksioneve me koronavirus, inflacionin e lartë dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor.

“Ne duhet t’i zgjidhim problemet që i shqetësojnë njerëzit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duhet ta nxjerrim vendin nga krizat e shumta që ka në shëndetësi, ekonomi dhe nga kriza e vlerave”, tha Fiala.

Në lidhje me çështjet e jashtme të Çekisë, marrëveshja thotë se politika “do të zhvillohet në bashkërendim me Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.

“Ne do të vazhdojmë ta thellojmë bashkëpunimin me partnerët demokratikë në zonat e Azi-Paqësorit (si Tajvani, Japonia, Republika e Koresë dhe të tjerët)”, si dhe “do t’i rishikojmë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën”, thuhet në marrëveshje.

Ajo nuk shpjegon se çfarë do të sjellë rishikimi i marrëdhënieve.

Presidenti çek, Millosh Zeman, i cili është kritikuar për qasje shumë miqësore ndaj Rusisë, ka thënë se është i gatshëm ta betojë Fialën si kryeministër, por nuk është e qartë se kur mund të ndodhë kjo, pasi Zeman ndodhet në spital.

Fiala do t’i jepte fund udhëheqjes së kryeministrit euroskeptik të Çekisë, Andrej Babish, dhe lëvizjes së tij populiste ANO./rel