Serbia, Shqipëria dhe RMV diskutojnë në NISH zbatimin e ”Open Balkan”

Në Nish u zhvillua takimi i ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të nismës ”Open Balkan”, që e hapi ministri serb i Financave, Sinisha Mali, i cili deklaroi se qëllimi i tri vendeve është që duhet të punojnë si një i vetëm.

Mali u uroi mirëseardhjen ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët do të diskutojnë mënyrat e realizimit të kësaj nisme.

Ai theksoi se qëllimi i përfaqësuesve të qeverive të tre vendeve është përpunimi i një plani se si të përmirësohet shkëmbimi i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve dhe si të mënjanohet gjithçka që të tre ekonomitë e shikojnë si pengesë për zhvillim dhe përparim.

”Takimi i përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë u hap me një takim ministror, ndërsa përfaqësuesit qeveritarë dhe anëtarët e grupeve sektoriale në dy ditët e ardhshme në Nish do të bisedojnë për lejet e punës dhe lehtësimet në tregti, që do të mundësojë shkëmbimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në këto tre vende”, citojnë nga Ministria serbe e Financave.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të MV-së, Dimkovski theksoi se realizimi i nismës ”Open Balkan” nuk do të jetë i lehtë, por që tre qeveritë së bashku do të luftojnë që ajo të arrihet.

Ai shfaqi shpresë se nisma do të sjellë të ardhme më të mirë për ekonomitë e tre vendeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shfaqi shpresën se fundjava do të jetë e suksesshme dhe se do të japë ndihmën e saj që kjo nismë të jetësohet sa më shpejt./ata