SPAK shpall në kërkim Rezart Taçin për pastrim parash, sekuestrohen mbi 18 milionë euro

SPAK ka shpallur në kërkim biznesmenin Rezart Taçi dhe ka arrestuar dy bashkëpunëtorët e tij, nën akuzën e pastrimit të parave përmes bizneseve të naftës.

Sipas hetimeve të SPAK dhe Antimafias italiane, skema e pastrimit të parave drejtohej nga shtetasit italianë: Francesco Zummo, I.Z., Fabio Petruzzella dhe D.C, të cilët në bashkëpunim me Rezart Taçin pastronin para përmes bizneseve në sektorin e naftës.

SPAK sqaron se dy personat e arrestuar, Artur Balla dhe Bledar Lilo kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri por dhe jashtë vendit, kryesisht Zvicrës, për pastrimin e parave.

Gjatë operacionit, SPAK sekuestroi mbi 18 mln euro, që janë përfituar pikërisht përmes kësaj skeme.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë nga 3 shqiptarët e përfshirë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Akuzat që qëndrojnë mbi Rezart Taçin dhe dy të arrestuarit janë: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë zbardhur të gjithë skemën e pastrimit të parave edhe të grupit kriminal Cosa Nostrën në bashkëpunim me 4 shtetas italianë.