VOA: Meta dhe Basha shkëmbejnë akuza për “gënjeshtra” dhe “mashtrime”

Në Tiranë, Presidenti i Republikës dhe Partia Demokratike e opozitës ngritën më tej tensionin e replikave midis tyre të hënën në mbrëmje, duke shkëmbyer akuza për “gënjeshtra” dhe “mashtrime” lidhur zgjedhjet vendore të qershorit 2019 dhe zhvillimet e fundit.

Presidenti Meta deklaroi në një konferencë shtypi se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po e shton “dozën e gënjeshtrave çdo ditë” në valën e “problemeve dhe halleve të tij personale politike”, “duke fajësuar për to institucionin e Presidentit të Republikës”.

Zoti Meta kujtoi se ai kishte dekretuar 30 qershorin 2019 si datën e zgjedhjeve vendore, zoti Basha i ishte lutur që të shtynte zgjedhjet, sepse, sipas tij, tubimi i thirrur nga opozita 3 javë para zgjedhjeve “do të degradonte në dhunë dhe se ai nuk e kontrollonte dot popullin opozitar dhe se ai do të ishte përgjegjësi kryesor për rezultatet e dhunës”.

Presidenti mori informacione, që do të përdorej dhunë e paralajmëruar ndaj institucioneve të vendit,… dhe vetëm pak minuta para fillimit të protestës, shfuqizoi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve, duke anuluar datën e zgjedhjeve” - tha zoti Meta.

Por Partia Demokratike i hodhi poshtë komentet e tij si të pavërteta përmes një deklarate të shkurtër shtypi. “Me diversion dhe mashtrime Meta tenton të përçajë Partinë Demokratike, por opozitarët e dinë se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë” - thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Kryetari i Partisë Demokratike e ka vendosur zotin Meta krahas kryeministrit Rama dhe ish presidentit Berisha si “pjesë të Trekëndëshit të Bermudës, i cili duhet shkatërruar sa më parë në të mirë të demokracisë dhe institucioneve të vendit”.

Polemikat mes Presidentit dhe kryetarit të opozitës nisën pas një interviste të zotit Basha për Zërin e Amerikës, ku tha, mes të tjerash, se zoti Meta, "dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës së LSI-së, në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës".

Por zëdhënësi i zotit Meta theksoi se këto komente ishin një provokim nga ana e zotit Basha me qëllim që “të shfajësojë vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021”, duke i kujtuar zotit Basha përgjegjësitë e këtij të fundit me bojkotin e reformës administrative, të asaj në drejtësi, djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore.

Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike është përfshirë në një seri polemikash me ish presidentin Berisha sapo e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës pas shpalljes non grata nga SHBA-të.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi në maj zotin Berisha, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

Sekretari Blinken theksoi se zoti Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Zoti Basha ka njoftuar organizimin e një Kuvendi të partisë më 18 dhjetor për të shqyrtuar zhvillimet në Partinë Demokratike, ndërsa zoti Berisha ka njoftuar një kuvend me përkrahësit e tij një javë më herët.

Kryetari Basha thotë se ish kryeministri Berisha po mundohet ta përdorë Partinë më të madhe të opozitës si mburojë personale pas shpalljes non grata nga SHBA-të dhe “Trekëndëshi i Bermudës Rama - Meta - Berisha” po përpiqen njëlloj për të përçarë Partinë Demokratike.

Shumica socialiste vendosi në qershor ta shkarkojë Presidentin Meta nga detyra për shkak të “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”, vendim i cili pritet të shqyrtohet në një seancë publike në janar nga Gjykata Kushtetuese.