Zaev shtyn dorëheqjen nga posti i kryeministrit/ LSDM: Merkel dhe Macron kërkuan nga Zaev të tërheqë dorëheqjen

Zaevi kishte paraqitur dorëheqjen më 31 tetor për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.

Ai dorëheqjen nuk e kishte dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbrëmjen e 9 nëntorit, organet më të larta të LSDM-së vendosën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

LSDM: Merkel dhe Makron kërkuan nga Zaev të tërheqë dorëheqjen

Burime nga LSDM kanë thënë për “Fokus” se kancelarja gjermne Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Makron, kanë ndikuar në vendimin e kryeministrit Zoran Zaev të mos ngutet me dorëheqjet nga posti kryeministër dhe kryetar i LSDM-së.

Këto burime kanë thënë se Zaev në mbledhjen e mbrëmshme ka informuar kreun partiak se figura të fuqishme, në mesin e të cilëve edhe Merkel e Makron e kanë kontaktuar, duke kërkuar që të mos lejojë destabilizim të vendit, por edhe që vend ka gjasa më në fund në dhjetor të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, transmeton Zhurnal.

Sido që të jetë, nga LSDM kanë thënë se Zaev do të japë dorëheqje deri në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm, kanë njoftuar burime në LSDM.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE më 8 nëntor njoftoi se ka siguruar nënshkrimet e 61 deputetëve për votimin e mosbesimit të qeverisë, por njëri nga deputetët, Skënder Rexhepi nga partia Alternativa tërhoqi nënshkrimin me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisma ku bënë pjesë edhe “E Majta”, që akuzohet nga partitë shqiptare dhe LSDM-ja për qëndrimet anti-perëndimore dhe anti-shqiptare.

VMRO-DPMNE-ja i ka ofruar deputetit Rexhepi 19 deputetë të saj që të ndërmarrë një nisme pa partinë “E Majta”. Për këtë çështje pritet që gjatë 10 nëntorit të sqarohen pozicionet e palëve kur edhe do të dihet nëse seanca do të mbahet të enjten apo të shtunën.

Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.