1955- 2021, Shqipëria në OKB

Editorial

14 dhjetor 1955 shënon anëtarësimin e Shqipërisë në Organizaten e Kombeve të Bashkuara. Kjo ngjarje e rendësishme historike e kombëtare është perkujtuar nga ministrja e jashtme Olta Xhaçka me një postim në rrjetet sociale.

Ajo tha se tani 66 vjet pas asaj ngjarje Shqipëria është një anëtare e besueshme e OKB-së dhe e gatshme të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin si anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria u bë anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955 kur vendi drejtohej nga nje qeveri komuniste ndërsa bota ishte e ndarë në dy kampe, blloku komunist lindor dhe ai perëndimor, gjë që vonoi anëtarësimin e saj për shkak të manovrave të ndryshme në atmosferën e Luftës së Ftohtë midis SHBA e ish- Bashkimit Sovjetik.

Shqipëria ishte çliruar më 29 nëntor 1944 nga pushtimi në Luften e Dytë Botërore.

"66 vjet më vonë, Shqipëria është një vend shumë ndryshe, një anëtar i besueshëm i komunitetit të kombeve, një mbështetës i vendosur i angazhimit shumëpalësh dhe i gatshëm për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe prosperiten si anëtare e Këshillit të Sigurimit”, tregon Xhaçka.

Pas 66 vitesh anëtarësim, Shqipëria u votua për herë të parë për të qenë anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat 2-vjeçar.

Mandati fillon më 1 janar 2022. Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtarë të përhershëm ndërsa 10 vendet e tjera anëtare kanë një mandat dyvjeçar.

Bie ne sy në këtë përvjetor se numri një i diplomacisë së Shqipërisë, çka e bën për momentin të luaj rolin e dirigjentes së asaj çfarë quhet arti i të pamundurës në marredheniet ndërkombëtare, nuk e tejkaloj përkatësinë ideologjike duke mos thënë asnjë fjalë respekti për diplomatët që kanë përfaqësuar Shqipërinë në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë në dekada sikur 'viti zero' i pjesëmarrjes së shqiptarëve në OKB të ishte viti 2013 kur Rilindja erdhi në pushtet.

Askush nuk e harron ekspertizën e lartë të diplomatëve si Halim Budo, Behar Shtylla, Nesti Nase, Reis Malile, Muhamet Kapllani, Sokrat Plaka e shumë të tjerë që  pavarësisht kufizimeve të kohës treguan talent dhe profesionalizëm të shkëlqyer diplomatik edhe pas 1955.

Është një pikë referimi në diplomacinë shqiptare performanca e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë që kontribuan në anëtarësimin e Kinës në OKB, e cila u mbajt e bllokuar nga SHBA dhe aleatët e saj më të afërt në përballjet e Luftës së Ftohtë te atyre koherave. Kina nuk humbet asnjë rast për të vlerësuar lart rolin e diplomacisë shqiptare në atë përpjekje, e cila triumfoi sepse atij vendi dhe 1.4 miliardë banorëve të tij iu rikthyen vendi i ligjshem në OKB, Këshill të Sigurimit e organizma te tjerë ndërkombëtare.

Bota diplomatike me gjithë ndarjet ideologjike ka arritur të tregoje lartësinë e dinjitetit të respektimit të figurave emblematike diplomatike.

Respekt në këtë 66 vjetor për Shqipërinë anëtare të OKB-së dhe për kontributin  modest, jo megalloman, me përfaqesuesit e saj në këtë organizate mbarëbotërore! / Argumentum.al