Ambasada e Kinës, financuese e një këndi lojërash për fëmijë në Tiranë

Ambasada e Kinës në Shqipëri ka financuar ndërtimin e një këndi lojërash në Tiranë. Në përurimin e këtij investimi, ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding deklaroi se fëmijët janë e ardhmja e vendit dhe shpresa e kombit dhe se shpreson që ky kënd lojërash i financuar nga ambasada kineze, t’u sjellë atyre më shumë gëzim dhe të ndihmojë fëmijët të rriten për t’u bërë ndërtuesit e Shqipërisë si dhe promovuesit e ardhshëm të miqësisë kino-shqiptare.

“Është një nder për mua dhe kolegët e ambasadës që të japim një kontribut në ndërtimin e komunitetit të Tiranës. Ndonëse ky kënd është i vogël, ai është pasqyrim i miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Në 70 vite Kina dhe Shqipëria kanë mbështetur njëra-tjetrën. Shumë kapituj të miqësisë ndërmjet popujve tanë janë shkruar bashkërisht ndër vite. Kina gjithmonë i kushton vëmendje Shqipërisë, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të saj, përmes ndihmave të vazhdueshme. Gjatë këtyre viteve, pas tërmetit të fortë dhe pandemisë, Kina gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj dhe ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë për të mposhtur sfidat. Tirana është një qytet me histori të gjatë dhe kulturë të pasur. Tirana dhe Pekini janë qytete të binjakëzuara me mbështetje reciproke dhe komunikim të ngushtë. Pas shfaqjes së epidemisë në Kinë ishte shumë prekëse dhe inkurajuese mbështetja që kryetari Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës shprehën për Kinën dhe Pekinin, duke treguar tolerancën dhe përgjegjësinë e Tiranës si kryeqytet i “vendit të shqiponjave”. Në shtatorin e vitit të kaluar, ambasada kineze pati kënaqësinë që bashkë me bashkinë të mbillnim 150 pemë të miqësisë Kinë-Shqipëri në Parkun e Liqenit, me rastin e 100-vjetorit të kryeqytetit Tiranë. Financimi i këndit të lojrave tregon edhe një herë miqësinë e popujve tanë dhe kjo është dhe një dhuratë për krishtlindje dhe Vitin e Ri për këtë komunitet”, -tha ambasadori.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani tha se parku i financuar nga Ambasada e Kinës është parku i 79-të në kryeqytet, ndërsa shtoi se ky nuk është bashkëpunimi i parë me palën kineze. “Ne jemi të lidhur me Bashkinë e Pekinit, jo vetëm nëpërmjet lidhjeve historike, por edhe projekteve konkrete. Në vitin 2019 në kuadër të nismës “17+1” Tirana ishte kryeqyteti mikpritës i nismës mes qyteteve, për të ndarë jo vetëm përvojë, por edhe ndihmë reciproke. Është shumë kënaqësi që kemi të pranishëm ambasadorin, është kënaqësi që fëmijëve ua sollëm festat më shpejt dhe do të kenë mundësi të luajnë dhe të kujtohen që ashtu si ata lidhin miqësitë e tyre brenda lagjes, edhe ne lidhim miqësitë tona shtet pas shteti dhe qytet pas qyteti”, -tha Anuela Ristani.

Sheshi “Sandër Prosi” shtrihet në një sipërfaqe prej 185m2 nga të cilat 43 m2 sipërfaqe gome dhe 100 m2 rëre. Pjesë e tij do të jenë 3 module lodrash për fëmijë, 6 stola për pushim, 3 kosha për hedhjen e mbetjeve dhe dhjetëra pemë. Sheshi është ndërtuar dhe projektuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, me sponsorizimin e Ambasadës së Kinës.Fëmijëve të pranishëm iu dhuruan lodra për festat e fundvitit nga ana e ambasadës kineze.