Basha mbledh Këshillin Kombëtar, lexon rezolutën: Dje u themelua organizata e parë anti-amerikane në 30 vite

Pasi Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën dhe ka caktuar një referendum 'një anëtar, një votë' për ta ratifikuar këtë vendim, kreu i PD-së ka thënë hapur se nuk e njeh asnjë vendim të marrë ditën e djeshme dhe ndërkohë ka përgatitur planin për të vepruar kundër Berishës.

Kryetari i Partisë Demokratike ka thirrur ditën e sotme Këshillin Kombëtar, anëtarët e të cilit në nisje të mbledhjes e kanë pritur Bashën me duartrokitje. Nga rreth 480 anëtarë, mësohet se kanë marrë pjesë 290 anëtarë, nga 250 që është numri i nevojshëm për të mbledhur Këshillin Kombëtar. Një nga anëtarët, Ilir Kondi ka braktisur mbledhjen, pasi sipas tij i ka kërkuar Bashës që të verifikohet kuorumi i nevojshëm i anëtarëve, kërkesë të cilën sipas tij Basha se ka pranuar.

Është zbardhur pjesë nga rezoluta që po prezanton kryetari i Partisë Demokratike para anëtarëve të këshillit Kombëtar të PD-së, mbledhje e cila ka vetëm pak minuta që ka nisur, Kryetari i PD-së, ka thënë se dje u themeluar organizata e parë anti-amerikane, në 30 vite pas asaj të Enver Hoxhës.

Kjo mbledhje është konsideruar nul dhe e paligjshme nga 'Komisioni i Rithemelimit', një institucion i krijuar nga Sali Berisha dje në Kuvendin e tij Kombëtar. Sipas mbështetësve të Berishës Kuvendi Kombëtar dje ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së re!

Komisioni e nis ditën e parë të punës me një 'gafë', duke e konsideruar shkarkim të Bashës vendimin e djeshëm të Kuvendit por që në fakt ka një referendum që po i njëjti Kuvend ka përcaktuar për më 18 dhjetor që ta ratifikojë këtë vendim.

Pra, vetë Berisha ka thënë që shkarkimi i Bashës do të bëhet me 'një anëtar, një votë', po Berisha thotë që shkarkimi ndodhi dje në Kuvend.

Në një deklaratë mbrëmjen e djeshme, Basha bëri me dije se pritet të shkarkohet kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe anëtarët kryesisë që nuk mbështetën 18 dhjetorin, por dolën hapur krah Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA. Për të bërë të mundur thirrjen e Këshillit, Basha ka vendosur edhe shkarkimin e 4 sekretarëve, Belind Këllëçit, Ervin Minarollit, Ledina Mandinës dhe Ivi Kasot, ku pritet dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.

Kryedemokrati është kujdesur të theksojë se ai do të vijojë ta drejtojë Partinë Demokratike, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka përdorur një retorikë të ashpër kundrejt Berishës, duke e quajtur atë mbeturinë të ‘komunizmit dhe korrupsionit’ që do i vijë fundi në 18 dhjetor, në Kuvendin e thirrur nga Basha.

Këto vendime vijnë si një përgjigje për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ku nga 4491 delegatë që votuan, 4446 ishin pro shkarkimit të tij, kundër 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Gjithashtu, në këtë Kuvend u ndryshua statuti i PD-së, si edhe u miratua edhe ngritja e një Komisioni të quajtur ‘Komisioni i Rithemelimit të PD’ me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri, megjithatë këto vendime Basha tha dje se nuk do i njohë.

Prej 9 shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar, në selinë ka nisur një luftë mes njëri-tjetrit, duke bërë një parti e cila është më e ndarë se kurrë në historinë 31-vjeçare të themelimit të saj. Ironike në të gjithë këtë histori, është se përçarja arriti kulmin në ditën e themelimit të saj, në 11 dhjetor.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe pritet të shkarkohen nga Basha

Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)
Belind Këlliçi
Ivi Kaso
Albana Vokshi
Aldo Bumci
Gent Strazimiri
Gert Bogdani
Oerd Bylykbashi
Flamur Noka
Ervin Minarolli
Ledina Mandia
Tomorr Alizoti

vijon...