Dodik sulmon SHBA-të, i quan vende jodemokratike dhe se politikat e tyre do të dështojnë ta shpëtojnë Bosnjën.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik kërcënoi hapur të mërkurën se do ta ndalojë punën e organeve gjyqësore shtetërore në territorin e Republika Srpskas dhe se ligjet e RS do të miratohen brenda një muaji për t’i legalizuar përpjekjet e para konkrete për shkëputjen nga Bosnja.

Duke reaguar ndaj faktit se Prokuroria e Bosnjë e Hercegovonës ka hapur një hetim kundër tij dhe zyrtarëve të lartë të RS-së me dyshimin për cenim të rendit kushtetues të shtetit, Dodik u tha gazetarëve në Banja Llukë se ky është rezultat i një “‘harangue’ të udhëhequr nga një llum politik nga Sarajeva”.

“Ne do ta ndalojmë punën e gjykatës dhe zyrës së prokurorit të BeH në territorin e RS”, tha Dodik, me nxitjen e të cilit parlamenti i RS më 10 dhjetor tërhoqi pëlqimin e njësisë për ta krijuar Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BeH dhe ligjet e mbrojtjes e sigurisë, si dhe sistemin e mbledhjes uniforme të taksave dhe detyrimeve në nivel shtetëror, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.

Kjo është arsyeja pse Zyra e Prokurorit të Bosnjës, së bashku me Dodikun, po heton gjithashtu presidenten e RS, Zeljka Cvijanoviq, kryeministrin e njësisë Radovan Viskoviq dhe krerët e partive që përbëjnë shumicën në pushtet.

Ai konfirmoi se politika e tij nuk ka shumë mbështetës në Evropë, por vlerësoi kryeministrin hungarez Viktor Orban, të cilin e quajti “një burrë shteti i rëndësishëm evropian” dhe “vizionar”, ndërsa tha se RS do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Hungarinë.

“Më vjen mirë që Orban njoftoi se Republika Srpska mund të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë dhe 100 milionë euro ndihmë”, tha Dodik. Ai pretendon se RS ka rritje ekonomike që është ndër më të lartat në Evropë, kështu që autoritetet në Banja Llukë nuk kanë nevojë për bashkëpunim me institucionet monetare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja, përfaqësuesit e të cilëve paralajmëruan se projektet separatiste mund ta sjellin Republika Srpskan në krizë financiare kur do të mbeteshin pa akses në kredi të favorshme pa të cilat nuk ka zhvillim.

Vlerësimi i tij është se situata aktuale në Bosnjë nuk po shkon askund.

Dodik sulmoi vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u tha qeverive të këtyre vendeve se ato janë jodemokratike dhe se politikat e tyre do të dështojnë ta shpëtojnë Bosnjën. Ai është veçanërisht i shqetësuar nga ministrja e re e e Punëve të jashtme në Gjermani, Annalena Baerbock, e cila mbron hapur propozimin për sanksionimin e Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.