G7 paralajmërim të fortë për Rusinë dhe Iranin

Rritja e pranisë së forcave ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën ka qenë tema dominuese e takimit dyditor të Grupit të Shtatëshes që po zhvillohet në Liverpul. Shtatë vendet me ekonomitë më të fuqishme të botës, kanë një qëndrim të përbashkët kundër çdo agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, si dhe kundër politikave autoritare të Kinës.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të G7ës thuhet se “Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se agresioni i mëtejshëm ushtarak ndaj Ukrainës do të kishte pasoja masive dhe kosto të rënda”. Ekonomitë e vendeve më të pasura demokratike konfirmuan garancitë e palëkundura për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Sekretarja e jashtme britanike Liz Truss tha më herët të dielën se vendet e G7-ës janë të bashkuara kundër një sulmi të Rusisë ndaj Ukrainës.

“...Ekonomitë më të mëdha të botës janë të bashkuara. U kemi dërguar një sinjal të fortë kundërshtarëve dhe aleatëve tanë. Kemi thënë qartazi se çdo sulm i Rusisë ndaj Ukrainës do të kishte pasoja masive me kosto të rënda”, tha zonja Truss.

Duke folur në një konferencë për shtyp, zonja Truss shprehu gjithashtu shqetësimin për politikat autoritare të Kinës.

“Jemi të shqetësuar për politikat shtrënguese të Kinës dhe prandaj duam të shtojmë ndikimin e investimeve dhe tregtisë në vendet e lira demokratike. Për këtë arsye po shtojmë investimet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme... Duhet të sigurohemi se e ardhmja e teknologjisë po projektohet nga bota e lirë, në veçanti standardet për inteligjencën artificiale dhe teknologjinë kuantike”, tha zonja Truss.

Kryediplomatja britanike paralajmëroi gjithashtu Iranin se bisedimet për çështjen bërthamore i ofrojnë shansin e fundit për të arritur një zgjidhje.

“Është shansi i fundit dhe ata duhet medoemos të veprojnë. Nuk do të lejojmë Iranin të prodhojë armë bërthamore ndaj është jetike që të vijë në tryezë e të tregojë seriozitet në negociata”, tha zonja Truss.

Në takimin e ministrave të G7ës në Liverpul të Anglisë janë ftuar të marrin pjesë edhe vendet e ASEAN-it, Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore./Voa