Koncert festiv për fëmijët në nevojë, ‘Binjaket e Harqeve’ performojnë për moshatarët e tyre

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, thoshte shenjtorja Nënë Tereza. I tillë ishte edhe koncerti i të enjtes në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, ku protagonistë ishin 30 fëmijë nga familje në nevojë të kryeqytetit. Për disa orë ata përjetuan magjinë e festave, falë tingujve të muzikës dhe dhuratave të ëmbla.

Nën siglën “Gëzojmë dhe festojmë së bashku me fëmijët në nevojë”,  aktiviteti u organizua nga ojf “AMAD”. Të ftuara speciale të koncertit ishin ‘binjaket e harqeve’, Klesta dhe Kristel Alushi. 10-vjeçaret e Liceut Artistik interpretuan me violinë dhe violonçel, një program me pjesë kushtuar festave të fundvitit, që u prit me hare dhe duartrokitje nga fëmijët pjesëmarrës.

“Jemi shumë të lumtura që luajtëm për fëmijët në nevojë dhe shpresojmë që t’ua kemi zbukuruar sadopak festat e fundvitit”, - u shprehën ato, duke shtuar se u bënë pjesë e kësaj nisme falë ftesës së drejtoreshës së qendrës ‘AMAD’, Voltiza Prendi.

Për Prendin, fëmijët kanë të drejtë të gëzojnë dhe të përjetojnë harenë e moshës së tyre. Veçanërisht për mirëqenien e tyre emocionale. “Aktivitete të tilla, ku ndërthuren tingujt e muzikës, kërcimet dhe dhuratat e ëmbla kontribuojnë në fuqizimin e grupeve vulnerabël, eliminimin e diskriminimit, si dhe mirëqenien emocionale dhe shëndetin mendor të fëmijëve”.  Në fund të koncertit festiv, ‘AMAD’ u shpërndau disa dhurata, duke ua ëmbëlsuar festat e fundvitit fëmijëve dhe familjarëve në nevojë.