Kreu veteran i PD-së Berisha i thotë sekretarit Blinken ‘Jo bullizmit politik!’

Në një përgjigje të fortë ndaj komentit të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price të publikuar nga Zëri i Amerikës të martën, kreu veteran i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha tha në një koment të transmetuar nga mediat lokale të mërkurën se kritikat janë jo sulme.

“Kam kritikuar qëndrimet dhe deklaratat e ambasadores amerikane (Yuri Kim), të cilat nuk ishin në përputhje me vlerësimin tim për ligjet e vendit dhe Konventën e Vjenës. Mendoj se interpretimi i kritikës si sulm nuk është i drejtë sepse është një formë e pastër të bullizmit diplomatik”, tha Berisha.

Reagimi i  plote nga ish-kryeministri Sali Berisha

Përgjigje për deklaratën e zëdhënësit të DASH ndaj kritikave të mia në adresë të ambasadores Kim

Duke shprehur konsideratën time të lartë për Departamentin e Shtetit dhe zëdhënësin Ned Price dua të theksoj sa vijon:

Së pari në bindjen time kritikat nuk janë sulme, unë kam kritikuar qëndrime dhe deklarata të ambasadores së SHBA, të cilat nuk kanë qenë në përputhje në vlerësimin tim me ligjet e vendit dhe Konventën e Vjenës. Unë mendoj se interpretimi i kritikave si sulme nuk është e drejte pasi është formë e pastër bullizmi diplomatik.

Se dyti, populli shqiptar e do shumë popullin e madh mik amerikan dhe qeverinë e tij. Ato kanë bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Se treti, shqiptarët si komb i lirë sovran anëtar i NATO-s duan ti zgjedhin vetë në përputhje me ligjet e vendit dhe votën e tyre përfaqësuesit e tyre qoftë në Parlament apo dhe drejtimin e partive. Ata nuk presin nga askush dhe aq më pak nga përfaqësues të vendit që ka bërë më shumë për sovranitetin e tyre te ju diktojnë se cili deputet i zgjedhur prej tyre duhet të futet dhe cili nuk mund të hyjë në parlament as dhe që të angazhohen në lojë me kukulla në fushatë brenda partiake për të mbështetur një kandidat tashmë të braktisur për aferat e tij nga anëtarësia.

Së katërti, shqiptarët kanë vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga diktatura staliniste e diktatorit Enver Hoxha, i cili ndër të tjera i kërcënonte ata me shprehjen se bar do të hamë, por SHBA nuk do t’ju nënshtrohemi. Kështu që mendoj se përdorimi i kësaj shprehje të diktatorit Hoxha pikërisht nga përfaqësuesja e SHBA si kërcënim për anëtarët e Partisë Demokratike, të cilët 30 vite më parë përmbysën diktaturën hoxhiste është ofendim kolektiv i palejueshëm dhe kjo meriton një ndjesë publike.

Për njerëzit e lirë arroganca nuk është virtut.

Së pesti, shqiptarët janë të bindur se fuqia e SHBA qëndron para se gjithash në liritë që ju garantojnë kushtetuta dhe ligjet qytetarëve të këtij vendi të madh dhe frymëzohen nga ky shembull. Ata presin që përfaqësuesi i SHBA-së të inkurajojë lirinë e shprehjes, mendimit dhe mediave dhe jo kurrsesi t’ju kërkojë gazetarëve të censurojnë veprimtarinë politike të deputetëve apo politikanëve vendas.

Së gjashti, SHBA i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë tejet të çmuar në luftën kundër korrupsionit dhe në historinë 30-vjeçare të demokracisë asnjeri nuk ka luftuar sipas dokumenteve të pakontestueshme sa Sali Berisha korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Tetë vite pas largimit të tij nga pushteti, Shqipëria sot thirret si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Ajo sipas raporteve të DASH konsiderohet tani si qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme. Kurse sipas raporteve të Bankës Botërore vendi im renditej në vitin 2020 i dyti në botë për sa i përket ryshfetit.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, në një rast unik në histori, Sekretari Blinken i dezinformuar nga lobim korruptiv i Edi Ramës dhe protektorit të këtij të fundit multimilardierit George Soros ka shpallur më 19 maj 2021, Sali Berishën ‘person non grata’ për korrupsion domethënës.

Ky është një rast unik në historinë e botës që një person shpallet ‘non grata’ 8 vite pasi ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues dhe duke mos patur kurrë një akuzë të ngritur për korrupsion nga ndonjë institucion vendas apo i huaj, kundra tij apo familjes së tij dhe tre jave pasi partia e tij humbi zgjedhjet.

Lidhur me këtë çështje duke konsideruar këtë vendim kryekëput të pabaza dhe mirëfilltas si një hakmarrje politike të armiqve të mi dhe demokracisë shqiptare, Edi Rama e George Soros unë kam ngritur padi ndaj Sekretarit Blinken në Gjykatën e Parisit.

Prandaj ju ftoj për hir të transparencës të paraqisni në gjykatë ku unë kam ngritur padi për shpifje çdo fakt, provë apo dokument që ju apo cilido individ apo institucion mbi tokë disponon për të faktuar akuzën dhe vendimin tuaj absolutisht pa baza.

Se fundmi, ju siguroj i nderuar zoti Price se shqiptarët në tërësi dhe demokratët në veçanti presin krenar dhe thellësisht mirënjohës 100 vjetorin e marrëdhënieve midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.

Ata mbeten të vendosur të japin kontributin e tyre edhe në 100 vitet që vijnë.

 

/Argumentum.al